Blushi: Kongresi nuk vendosi bojkotin e Kuvendit nga ana e PS
Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, akuzoi dje Ramën se po kërkon bojkotin e Kuvendit nga grupi parlamentar socialist për shkaqe personale që kanë lidhje me kandidimin e tij për postin e kryetarit. “Opsioni i bojkotit të parlamentit po ngrihet për t’i dhënë Edi Ramës karrigen e postit të kryetarit të PS-së”, tha Blushi. Sipas tij, kongresi nuk u mblodh për të ndryshuar qëndrimin e Asamblesë Kombëtare për këtë çështje. “Ç’ka është më e rëndë, është se këtij kongresi i është vjedhur qëndrimi i PS-së për zgjedhjet. Ne shkuam në këtë kongres pasi kishim konsumuar një debat në Asamblenë Kombëtare ku u ballafaquan dy opsione; i pari, për të mosbojkotuar parlamentin dhe i dyti që ishte evaziv. Dolëm nga kongresi dhe kryetari në detyrë i PS-së tha se dje një ditë pas kongresit do ta rishqyrtojë çështjen e bojkotit të kuvendit. Kjo gjë nuk u prek në kongres. Ky është një qëndrim personal i Edi Ramës, që kongresi nuk e ka diskutuar. Në kongres nuk u diskutua fare mundësia e daljes nga parlamenti. Unë pyes sot, a ka njeri që e ka parë rezolutën që miratoi kongresi i jashtëzakonshëm?” u shpreh Blushi. Sipas tij, qëndrimi i bojkotit bëhet në interes të Edi Ramës, por dëmton imazhin e PS-së. “Është paradoksale që asambleja u mblodh që t’i kërkojë kongresit të mbajë një qëndrim për zgjedhjet dhe kongresi mblidhet për të diskutuar këtë qëndrim dhe në fund kongresi ia lë këtë detyrë kryesisë së PS dhe nëse kryesia nëse do të mblidhet do të thotë që këtë gjë ta vendosë kryetari i partisë. Kemi të bëjmë me një rreth vicioz dhe për më tepër kryetarit në detyrë. Ajo që na shqetëson më shumë është imazhi i PS-së, që pas humbjes së zgjedhjeve edhe për faj të saj, po bllokon dhe censuron garën demokratike brenda vetes”, u shpreh Blushi. I pyetur rreth mandatit katër vjeçar që Rama është shprehur se do të marrë nga këto zgjedhje, Blushi u shpreh se kryetari në detyrë po shkel edhe një herë statutin. “Statuti i PS po shkelet në mënyrë sistematike dhe ne kemi arsye të themi se ai nuk po tregon aftësi të administrojë një parti politike brenda disa rregullave të përcaktuara nga vetë partia. Me pretendimin e një mandati katër vjeçar, Edi Rama po zhbën zgjedhjet në parti, sepse nuk do ketë zgjedhje në 2011 pasi mandati i tij do të mbarojë në 2013.
Statuti i Partisë Socialiste përcakton se mandati i kryetarit të PSSH, delegatëve dhe forumeve të tjera të PS-së, është katër vjeçar dhe i pajtueshëm, që do të thotë se mbaron në 2011. Në 2011 do të votohet për të gjithë partinë, ndërsa vetëm për kryetarin nuk do të votohet. Kjo fabul është qesharake dhe bëhet për interesa shumë të vogla”, u shpreh Blushi.