Solis: Paralajmërimi i Ramës për bojkot parlamentar, një alibi për humbjen e zgjedhjeve

Paralajmërimi i kryetarit në detyrë i PS-së, Edi Rama, se grupi parlamentar socialist do të bojkotojë punimet e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e e 28 qershorit, por edhe kërkesa e tij për zgjedhje të parakohshme janë cilësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Leonard Solis, si "alibi e Ramës për të fshehur humbjen e zgjedhjeve". Solis, partia e të cilit nënshkroi marrëveshje paraelektorale për bashkëpunim me PS-në për zgjedhjet e 28 qershorit, tha sot në një prononcim se “përpara se Rama të bërtasë për vjedhje nga koalicioni tjetër fitues i zgjedhjeve, duhet të sqarohen partitë brenda koalicionit me PS-në për vjedhjen e votave të tyre, siç është dhe PBDNJ. Dy standarde nuk mund të ketë, kur e grabisin bërtet dhe kur grabit hesht", nënvizoi Solis, ndërsa shtoi se "siç i ndoqëm dhe zhvillimet e pjesshme të Kongresit me dyer të mbylluara, Rama vetëm për humbës nuk foli, por si gjithnjë gjatë këtyre dy muajve bërtiti për grabitje të votave". Lidhur me dorëheqjen e Arben Malaj nga gara për kreun e ri të PS-së, ai theksoi se “Malaj mbart vlera të mëdha në PS dhe ka kontribuar për të, por në momentin që aty nuk ka më demokraci, dorëheqja e njeriu si ai është më se e drejtë”. PS, vijoi Solis, ka humbur me këtë kryetar në detyrë, siç dhe e cilësojnë vetë një pjesë e socialistëve, standardet si një nga partitë më demokratike në vend. Dy ditë më parë Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së vendosi që më 26 shtator të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të partisë. Në garë konkurojnë dy kandidatë, Maqo Lakrori ish-ministër në kabinetet qeveritare socialiste dhe kryetari aktual Edi Rama. Në Kongres shpalli kanididaturën edhe deputeti socialist, Arben Malaj, por që më pas paralajmëroi tërheqjen nga konkurimi. Sot pritet që Malaj të shprehë publikisht arësyet e tërheqjes së tij nga gara.
...