E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjëroi shoku Edvin, bilbili i marksizmit!

Ligjërim vajtues apo fraza frenetike. Ishte një kalë gërdallë, që shtrihet mbi llurbë. Ligjëroi shoku Edvin si një bilbil për të shpëtuar marksizmin e fshehur të xhaketave të vjetra, nën petkun e ri evropian. Lumi turbullirë qe i dallgëzuar si një trung i zi. Kishte kuje më të madhe se këto, kur kongresin e madh socialist e drejton Gramozi. Në një pallat kaq të madh, fërgëllon drita e banjës. Ligjërimi i mëkatarit, njeriut të frikur që kërkon të frigojë të tjerët. Ai që ofron bollëk pa masë, paçka se ka uri të paparë në kongres. Çfarë panë shqiptarët pas atyre dyerve të kongresit? Live qe veç transmetimi televiziv në holl, por jo në sallë. Live në musendër, por jo aty ku kërcet sherri dhe muhabeti.
Ishte një kongres aguridhë. Rezultoi me fruta të papjekura. Malaj largohet. Mirëpo gjendet Lakrori, që i shtron petët Edvinit. Më tepër frikë në sallë, me prani të shumtë badigardësh. Ose një shpalosje armësh, por pa u shkrehur nga të dy palët. Bashkia e Tiranës kishte dërguar trupa shtesë për të përforcuar ushtarët që do të mbronin kongresmenet dhe do të qëllonin madje edhe kameramanët nëse tentonin të futeshin në sallë. Mision i kryer me sukses nga këta të fundit. Nëse do ti kërkosh punësimin i gjeni pikërisht atje ku shkruhet bashkia Tiranë. Edhe partia e socialistëve është atje. Përse Edvini u ngriti socialistëve gardh, i kurthoi, duke ua fshehur kongresin medieve dhe shqiptareve? Si ka mundësi që 1500 burra e gra kongresmene pranuan dhe u mbyllën në atë kuvli, që u kish përgatitur Gramozi? Përgjigjet mbeten çuditerisht në hava. Ndërsa skandaloz mund ta quajmë fjalimin programatik të shokut Edvin. Nuk e patë çfarë shprehjeje prej aktori, çfarë mimike dhe batutash? O nëne, o nëne! Çfarë thirrjesh dhe ligjërimi qe vajtimi i tij, që gjoja kërkon të shpëtojë vendin e jo karrigen e tij.
Epo çudia nuk ka të sosur. Ligjëro shoku Edvin, ligjëro në kuvli, sepse kështu shpëton marksistët, leninistët, xhakeistët, lejet e ndërtimit, por edhe mbron gramoistët, servet servilët, e bëj lakror e byrek, për mëngjes e për drekë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›