E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Zgjedhjet e parakohshme janë një alibi e Ramës për të kaluar lumin


Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello e komentoi sot objektivin e kryetarit të PS-së Edi Rama për zgjedhje të parakohshme si "një alibi të tij për të kaluar lumin". Deputeti Bello, gjatë një prononcimi vlerësoi se ideja e zgjedhjeve të parakohshme e hedhur nga z. Rama kërkon strategji dhe taktika të studiuara mirë. "Opozita ka të drejtë të kërkojë zgjedhje të parakohshme që në ditën e dytë të përfundimit të zgjedhjeve. Por, që të ndërmarrësh një veprim të tillë duhen strategji dhe taktika të studjuara mirë. Në këto kushte kërkesa e Ramës më duket si një alibi për të kaluar lumin kryetari i PS- së", tha Bello. Në prononcimin e tij deputeti socialist u shpreh dhe kundër bojkotimit të parlamentit nga PS, i paralajmëruar nga drejtues të saj. "Jam kundër bojkotit të Kuvendit pasi është një rrugë që nuk të çon askund dhe që është përdorur dikur pa sukses dhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sot bojkoti i institucioneve është një gabim i rëndë, të cilin nuk do ia dëshiroja kurrë PS-së", tha Bello. Pas vendimit zyrtar në Kongresin e Jashtëzakonshëm për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, dje,  kryetari i PS-së në detyrë, Edi Rama deklaroi se i konsideron me legjitimitet të cunguar institucionet e reja dhe se objektivi i partisë më të madhe opozitare janë zgjedhjet e parakohshme. "Pa asnjë dyshim që duke mos i njohur këto zgjedhje në kuptimin politik, ne e konsiderojmë të domosdoshme që sovraniteti i popullit dhe sovraniteti i institucioneve që burojnë nga zgjedhja e lirë dhe e ndershme e tyre duhet të rivendosen me zgjedhje të reja dhe të parakohshme", u shpreh dje Rama gjatë një konference për shtyp. Dy ditë më parë Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së vendosi që më 26 shtator të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të partisë. Në garë konkurojnë dy kandidatë, Maqo Lakrori ish-ministër në kabinetet qeveritare socialiste dhe kryetari aktual Edi Rama. Në Kongres shpalli kanididaturën edhe deputeti socialist, Arben Malaj, por që më pas paralajmëroi tërheqjen nga konkurimi. Sot pritet që Malaj të shprehë publikisht arësyet e tërheqjes së tij nga gara. 


Hajdaraga: U kompromentuan rregullat e garës. Malaj bëri mirë që u largua nga gara


Anëtari i Asamblesë së Përgjithshme i Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga e ka komentuar dorëheqjen e Arben Malaj nga gara për kreun e ri të kësaj partie si një veprim të drejtë, pasi argumetoi ai "që në fillim, gara është kompromentuar nga kryetari në detyrë, Edi Rama, duke mos lënë hapësira dhe rregulla të qarta loje. Sipas tij, Arben Malaj, një nga eksponentët kryesor të Partisë Socialiste dhe mjaft i suksesshëm edhe kur PS ka qenë në pushtet, në një moment të caktuar mori përgjegjësinë për të kandiduar përballë Edi Ramës, për ti dhënë kësaj partie një frymë të re, ndryshe nga ajo që mbizotëron tani. Por, në momentin kur Rama mbajti fjalimin e tij në Kongres, nuk pati asnjë shenjë që ai kishte reflektuar për çka kishte ndodhur, pse PS kishte humbur zgjedhjet. Thjesht mbajti një fjalim të përgjithshëm ku thoshte se ne kemi fituar, por zgjedhjet na u grabitën, tha ai. Hajdaraga nënvizoi se mendoj  se Malaj është bindur se nuk mund të kishte rregulla të qarta dhe të pastra loje, pasi uni i Ramës reflektohej në një pjesë të madhe të delegatëve të Kongresit. "Në PS, gara për kryetar ka qenë gjithnjë e hapur dhe transparente, ku mekanizmat e saj viheshin në funksion të të gjithë kandidatëve. Tashmë Rama i ka ngushtuar këto hapësira, duke vënë gjithçka në funksion të tij, ndaj dorëheqja e Malaj është mëse e drejtë, theksoi ndër të tjera Hajdaraga. Në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së të 29 gushtit, Arben Malaj u deklarua zyrtarisht si kandidat për kreun e ri të kësaj partie, ku dhe prezantoi platformën e tin për këtë qëllim. Pas fjalës së kryetarit në detyrë, Rama i cili rikandidon për këtë post, Malja deklaroi se sot do të japë zyrtarisht dorëheqjen nga kandidimi, në një konferencë për shtyp për gazetarët.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›