E Diel, 1 Nëntor 2026

Sollaku firmosi për luftën kundër krimit të organizuar

31/03/2005  Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, së bashku me kryeprokurorët e Rajonit të Ballkanit nënshkruan dje në Shkup Memorandumin për Mirëkuptim dhe Bashkëpunimin Rajonal në Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Ato thanë se, kryeprokurorët e Ballkanit Përendimor, brenda kornizave legale dhe institucionale kombëtare dhe duke pasur parasysh obligimet e tyre ndërkombëtare, nëpërmjet nënshkrimit të këtij Memorandumi, synojnë në hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të krimit të organizuar si edhe të grupeve kriminale dhe organizatave kriminale dhe krerëve të tyre, të cilët e shtrijnë aktivitetin në këto vende. Burimet sqarojnë se si qëllim i këtij Memorandumi do të jetë bashkëpunimi në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe të gjitha formave të tjera të mundshme të krimit të organizuar në përgjithësi. Ky bashkëpunim do të mundësohet nëpërmjet shkëmbimit të informatave, dokumenteve dhe provave materiale, që kanë të bëjnë me të gjitha format e krimit të organizuar brenda juridiksionit të këtyre vendeve, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Burimet e organit qendor të akuzës përfundojnë se, nënshkrimi i këtij memorandumi do të jetë nisma e një bashkëpunimi më të ngushtë në luftën e krimit të organizuar dhe shkëmbimit të eksperiencës mes vende të rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›