E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi, fshihet dëshmitarja nga familjarët

31/03/2005  Babai i të shfrytëzuarës ka tërhequr denoncimin për tutorët

TIRANË "Zhduket" vajza e trafikuar dhe motra e saj dëshmitare. Ndërsa është pyetur para gjykatës babai i Liljana Koçit, e trafikuar në disa shtete për qëllime përfitimi dhe ka mbrojtur tutorët, Prokuroria nuk është në gjendje të sjellë një prej dëshmitarëve kyç. Motra e Liljanës di shumë gjëra për tutorët, tashmë marrë të pandehur, madje, di edhe bisedat e bëra mes tyre. Për të eliminuar këtë dëshmi të rëndësishme para gjykatës, babai i vajzës, Mustafa Koçi, nuk ka treguar adresën e saktë të vajzës, por është mjaftuar vetëm me faktin se ajo është martuar në Maqedoni dhe prej tetë muajsh nuk ndodhet në shtëpi.

Kallëzimi

Mustafa Koçi ka tërhequr kallëzimin e bërë në polici kundër të pandehurve Baftjar Gjana dhe Xhevahir Lusha. Ai është shprehur se nuk ka asgjë me këta persona dhe se vajza e tij ka ikur me dëshirë. Para gjykatës, babai i vajzës u shoqërua nga të afërmit e të pandehurve. Në rast se organi i Prokurorisë nuk do të mund të gjejë adresën e motrës së Liljana Koçit, gjykata do të vendosë për leximin e deklarimeve të saj të bëra në polici. Praktika e ndryshimit të deklarimeve nga ana e vajzave të trafikuara dhe familjarëve të saj, tashmë është bërë e njohur. Por, gjithsesi, gjykata në të shumtën e rasteve ka marrë parasysh provat e akuzës, duke mos i dhënë të drejtë të pandehurve të manipulojnë provat. Shumë prej vajzave e bëjnë kallëzimin në polici, pasi nuk arrijnë të marrin lekët nga tutorët e saj. Sipas provave të paraqitura në gjykatë, një pjesë e vogël vajzave të trafikuara arrijnë të tregojnë të vërtetën, edhe atëherë kur janë nën presion. Dëshmitarët mësohen nga pala mbrojtëse dhe kur paraqiten në gjykatë nuk janë në gjendje të përballen me akuzën. Në këtë rast përmendim babain e Liljana Koçit, i cili kishte mësuar përmendësh disa fjali dhe deri në fund bënte të paditurin. "Me këtë djalë dhe me familjen e tij, unë nuk kam asgjë. As e njoh dhe as më njeh. Për mua e lironi që sot. Mua më ka ikur vajza nga shtëpia dhe pas një muaji më mori në telefon, duke më thënë se ishte martuar me një francez. Në polici kam bërë kallëzim, por nuk kam dhënë emrat e asnjë prej të pandehurve që janë në këtë proces". Kjo ishte dëshmia e babait të penduar për kallëzimin e bërë në Prokurori, ku ishte shprehur se vajza ishte larguar nga shtëpia dhe gjatë bisedave telefonike i ka thënë se vazhdonte të qëndronte në Itali, e martuar me shtetasin Xhevahir Lusha, nga Burreli. Deklarimet e Koçit u kundërshtuan nga gjykata.

Denoncimi

Në datën 4 dhjetor 2001, babai i Liljana Koçit bën kallëzim për humbjen e vajzës. Në datën 17 shkurt 2001, kallëzimi penal pushohet për mungesë provash. Ndërsa në 7 tetor 2003, Prokuroria pranë Shkallës së Parë rinis edhe një herë hetimet, pasi, babai i Liljanës, Muharremi, kishte marrë kontakt me vajzën, e cila i tregon gjithçka. Në 21 janar 2004, Prokuroria e Shkallës së Parë shpall moskompetencën dhe në 26 janar 2004, çështja regjistrohet te Krimet e Rënda. Liljana Koçi, gjatë kohës që ka qëndruar në Itali, ka komunikuar vetëm një herë me familjen, nën ndikimin e Xhevahir Lushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›