E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e vjedhjes së bankave në Tiranë

31/03/2005  Gjurmët e gishtave zbuluan shtatë grabitjet në “Uestern Union”

Prokuroria dhe policia e Tiranës kanë arritur të zbulojnë edhe shtatë vjedhje të tjera të kryera me dhunë, të cilat ua ka faturuar të arrestuarve për grabitjen e pronarit të “Uestern Union” në Laprakë, Reshit Beqës, më 9 shkurt të vitit 2005. Pas sigurimit të provave materiale kundër të prangosurve për këto vepra penale, hetuesit e Tiranës kanë konkluduar se të arrestuarit nga fshati Nikël i Krujës, dyshohen si pjesëtarë të një bande të mirëstrukturuar të grabitjeve me dhunë, duke përdorur edhe armët. Për këtë arsye disa ditë më parë, dosja penale në ngarkim të të pandehurve i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokuroria ka hedhur dyshime ndaj të rinjve të Hakajve për disa vjedhje me dhunë, të kryera në Tiranë këto vitet e fundit, kryesisht të “Uestern Union”-eve.

Zbulimi

Kanë qenë gjurmët e gishtërinjve të mbetura në vendngjarje dhe dëshmitë e të dëmtuarve, të cilat kanë bërë të mundur zbardhjen e disa vjedhjeve me dhunë në kryeqytet. Janë shtatë vjedhje me dhunë të kryera nën presionin e armëve, ku, kryesisht synimi i autorëve kanë qenë njësitë e transfertave të parave. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë, të cilat sqaruan se si autorë të këtyre vjedhjeve dyshohen vëllezërit Fatbardh dhe Sazan Haka, Kreshnik Berisha, Julian Haxhiu, Ervin Belba etj. Katër prej të sipërpërmendurve akuzohen për vjedhjen me armë të 80 mijë eurove të pronarit të një “Uestern Union”-i në Laprakë, në janar të këtij viti. Ndërsa, Belba akuzohet për grabitjen e dy kambistëve në bashkëpunim me Kreshnik Berishën dhe Petrit Lleshin, në vitin 2000. Burimet theksojnë se pas arrestimit të tyre, gjurmët e gishtërinjve janë krahasuar me ato të të skeduara më parë nga policia në vendngjarje, nga ku kanë rezultuar të njëjta me ato të mbetura në shtatë vjedhje me dhunë. Gjithashtu kanë qenë edhe vetë të dëmtuarit, të cilët pas publikimit të fotove të të arrestuarve i kanë njohur dhe kanë dëshmuar para hetuesve, thonë burimet.

Kompetenca

Burime të Prokurorisë së Tiranës pohuan dje se pas hetimeve paraprake lidhur me këto vjedhje me dhunë dhe autorëve të dyshuar, u konkludua se bëhej fjalë për një bandë të mirëstrukturuar. Kjo, pasi, ata kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe gjithçka e kanë planifikuar më parë, sqarojnë burimet. Sipas Prokurorisë, këta persona për disa vite me radhë kanë kryer grabitje me dhunë, duke përdorur edhe armë zjarri. Gjithashtu objektivat që ata dyshohen të kenë goditur kanë qenë kambistët dhe filialet e këmbimit monetar, thonë burimet. Tjetër fakt që tregon se kjo bandë e dyshuar grabitësish është e mirorganizuar, është kryerja e vjedhjeve me dhunë e të njëjtit lloj në mënyrë të përsëritur. Gjithë këto të dhëna mbi aktivitetin kriminal të të dyshuarve, tregojnë se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një bandë të mirorganizuar të vjedhjeve me dhunë, pohojnë burimet. Për këtë arsye dosja prej disa ditësh i ka kaluar për kompetencë hetimesh Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përfundojnë burimet e Prokurorisë së Tiranës.

80 mijë eurot që prangosën grupin e Niklës

Disa javë më parë, forcat e Komisariatit të policisë nr.2 në Tiranë, ndaluan me urdhër të Prokurorisë tri persona, të cilët kanë grabitur shtetasin Reshit Beja, pronar i pikës bankare "Uesternn Union", më 9 shkurt të këtij viti. Sipas burime zyrtare të atëhershme të Ministrisë së Rendit Publik, për vjedhjen e 80 mijë eurove, akuzohen Kreshnik Berisha, 24 vjeç, banues në Tiranë, vëllezërit Fatbardh dhe Sazan Haka, përkatësisht 28 dhe 22 vjeç. Të njëjtat burime thanë atëherë se është arrestuar në Itali edhe bashkëpunëtori i tyre, Juljan Haxhiu, 28 vjeç, banues ne Tiranë. Sipas policisë, Kreshnik Berisha dhe Fatbardh Haka kanë qenë më parë të dënuar nga drejtësia për vjedhje me armë. Sipas policisë, këta shtetas, në datën 9 shkurt 2005 në vendin e quajtur fusha e Aviacionit i kanë vjedhur me armë në bashkëpunim me njëri-tjetrin Reshit Bejës, pronar i një “Uesternn Unioni” në Laprakë, shumën e 80 mijë eurove. Beja ka qenë së bashku me të shoqen rreth orës 06.30 minuta të 9 shkurtit, duke shkuar në pronën e tij. Me vete ai ka pasur edhe çantën e parave që i është grabitur nga katër persona, të cilët udhëtonin me një autoveturë tip BMV me targa të huaja. Grabitësit, pasi kanë marrë paratë kanë qëlluar disa herë në ajër dhe janë larguar. Ndërkaq, Beja ka qëlluar me pistoletën që e mbante me leje drejt tyre, duke u thyer xhamin e makinës, por pa arritur t’i plagosë. Policia gjeti në autoveturën e braktisur të grabitësve përgjatë rrugës Tiranë-Krujë. Ndaj tre të rinjve nga fshati Nikël i Krujës, gjykata vendosi masën e sigurisë burg pa afat.

Lleshi, Berisha dhe Belba, akuzohen se grabitën dy kambistë në 2000-shin

Prangoset i fundit i grupit të grabitësve të dy kambistëve, të cilët pesë vite më parë u kanë marrë të gjitha paratë që kishin me vete, duke përdorur kërcënime e dhunë. Ervin Belba, 25 vjeç, nga Tirana, u prangos më 18 mars të këtij viti, pasi akuzohet si bashkëpunëtor i Petrit Lleshit dhe Kreshnik Berishës, në vjedhjen me dhunë të dy kambistëve më 10 korrik të vitit 2000. Lajmi për arrestimin e Ervin Belbës u bë i ditur nga zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Alma Katragjini. Ajo tha se 25-vjeçari tiranas, Ervin Belba, akuzohet si bashkëpunëtor i Kreshnik Berishës nga fshati Nikël i Krujës dhe Petrit Lleshit në vjedhjen me dhunë të dy kambistëve. Berisha u arrestua disa ditë para Belbës, së bashku me dy vëllezërit Fatbardh dhe Sazan Haka. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin vodhën me armë 80 mijë euro të pronarit të “Uesternn Union” në Laprakë, Reshit Beja. Ndërsa, Petrit Lleshi prej disa kohësh ndodhet në burg i dënuar me 12 vjet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë të dy vëllezërve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›