E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, 20 seanca në ditë dështojnë për mungesë të dëshmitarëve

31/03/2005  TIRANË – Pavarësisht se flitet dhe thuhet se gjithçka duhet ndryshuar në gjykata, situata mbetet e njëjtë. Rituali i proceseve gjyqësore që shtyhen është i vazhdueshëm. Gjyqtarët duket se e kanë më të lehtë të bëjnë një shënim në procesverbal, "seanca shtyhet për mungesë të dëshmitarëve, palët morën dijeni për datën". Duke bërë këtë shënim, gjyqtarët janë në rregull me ligjin, por nuk mund t’u përgjigjen pyetjeve të të pandehurve. Brenda një dite, në Gjykatën e Tiranës shtyhen 20-25 procese gjyqësore. Motivi i shtyrjes është i njëjtë për të gjithë. Në shumicën e rasteve, shkaku kryesor që seancat nuk zhvillohen është mungesa e dëshmitarëve të akuzës. Të ndodhur në këto kushte, prokurorët janë të detyruar që të kërkojnë shoqërimin e tyre të detyrueshëm. Ndërkohë që motive të tjera të mosparaqitjes së dëshmitarëve është dhe mundësia e tyre e paktë për t’u lajmëruar. Ka shumë zona ku posta nuk funksionon dhe në këto raste ardhja e dëshmitarëve bëhet e pamundur, shprehen prokurorët. Edhe libri i adresave është shkak kryesor. Lëvizja e popullsisë e ka bërë të vështirë lajmërimin e tyre. Por, ata që duhet të japin shpjegime të nevojshme janë prokurorët. Këto të fundit janë të vlefshme vetëm për të justifikuar ditën e punës, por jo për të pandehurit që presin në dhomat e ftohta të paraburgimit. Një tjetër shkak për shtyrjen e seancave gjyqësore bëhen edhe mungesat e palës akuzuese si dhe të avokatëve mbrojtës. Tashmë në gjykatë është bërë e modës që një seancë shtyhet për avokatin, një për të pandehurin, një për dëshmitarin dhe një tjetër për vetë gjykatën. Situata është e njëjtë si për Gjykatën e Shkallës së Parë, ashtu edhe për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Krimet e Rënda dje kanë zhvilluar vetëm një proces gjyqësor. Të gjitha seancat e tjera janë shtyrë. Gjithsej ishin 7 gjyqe për t’u zhvilluar. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, në analizën vjetore të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u shpreh se edhe zvarritjet në gjykim ishin pjesë e korrupsionit. Më të humburit në këtë proces dalin familjarët, që te Krimet e Rënda vijnë edhe nga rrethe të largëta. Ka raste kur ndodh e kundërta. Në sallën e gjyqit paraqitet dëshmitari, por mungon pala mbrojtëse, apo një prej gjyqtarëve është i ngarkuar me detyrë tjetër. Vetëm për të pandehurin Dritan Dajti janë shtyrë deri tani për mosparaqitje të dëshmitarëve 14 seanca gjyqësore. Ndërkohë që janë me dhjetëra procese që kanë muaj të tërë në kërkim të paraqitjes së palëve në gjykatë. Disa prej këtyre dëshmitarëve kanë kërkuar edhe shpërblimin e ditës së punës që kanë humbur si dhe paratë e rrugës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›