E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e Likës, në kërkim një prej autorëve

31/03/2005  Agresori i skeduar nga policia u identifikua nga gjurmët e gishtave të lëna në makinë

Policia e kryeqytetit ka arritur të identifikojë një prej autorëve të plagosjes së ish-deputetit të PD-së, Arben Lika, në fund të janarit të këtij viti. Kanë qenë gjurmët e gishtave të gjetura në autoveturën e braktisur nga autorët, ato që kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej tyre. Kjo, pasi një prej agresorëve të Likës ka rezultuar të ketë qenë i skeduar më parë nga policia. Ndërkaq, Prokuroria ka lëshuar një urdhërarresti ndaj tij dhe policia e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit për plagosjen e Likës, policia nuk e ka gjetur të strehuar aty. Ndërsa agjentët kanë siguruar informacione operative, se personi në fjalë mund të jetë larguar jashtë shtetit në rrugë ilegale.

Identifikimi

Kanë qenë gjurmët e gishtave të administruara në mjetin e braktisur prej autorëve, që kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej tyre. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se personi në fjalë kishte qenë më parë i skeduar dhe gjurmët e tij kanë rezultuar të njëtja me ato të gjetura në mjet. Por, burimet nuk bëjnë të ditur identitetin e të kërkuarit për shkak të sekretit hetimor, pasi ende nuk është bërë e mundur të zbulohen edhe dy bashkëpunëtorët e tij. Nga burimet mësohet se forca policore kanë ushtruar kontroll në banesën e të kërkuarit, por ai nuk gjendej aty. Ndërkaq, agjentët e policisë kanë marrë informacione operative se i kërkuari mund të jetë larguar jashtë shtetit në rrugë ilegale. Për këtë shkak janë lajmëruar të gjitha pikat kufitare të cilave u është vënë në dispozicion edhe fotoja e tij, që ta ndalojnë nëse i dyshuari paraqitet me identitet të rremë, pohojnë burimet.

Hetimi

Nga hetimi i Prokurorisë nuk është konkluduar ende një version zyrtar rreth motiveve të ngjarjes. Kjo, pasi vetë Lika mësohet të ketë pohuar se nuk i ka njohur personat që e sulmuan me thikë. Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet që shkak i ngjarjes të ketë qenë borxhet, theksojnë burimet e Prokurorisë. Kjo nisur edhe nga vetë fakti se, noterja Mira Marku, nga zyra e së cilës doli Lika para se të plagosej, pohoi përpara hetuesve se ai kishte firmosur 5 kontrata për njohje borxhi. Marku ka sqaruar në prokurori se kontratat varionin nga 5 deri në 20 mijë euro. Burimet e organit të akuzës pohojnë se motivi për shkak të borxheve është pista kryesore që po hetohet, ndonëse Lika e ka mohuar një fakt të tillë.

Lika u plagos pas firmosjes së kontratave për njohje borxhi

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Lika ka qenë duke zbritur shkallët e një noterie, që ndodhet në katin e parë të pallatit përballë minibashkive, në zonën pranë tregut elektrik në Tiranë, kur është sulmuar nga agresorët. Ka qenë fundi i janarit të këtij viti, kur Lika, sipas thënieve të noteres Mira Marku, po dilte pasi kishte firmosur pesë kontrata për njohje borxhi. Nga rindërtimi i skemës së ngjarjes, nga ekspertët kriminalistikë, duket se agresorët e kanë parë të zbresë dhe në momentin që Lika ka dalë në trotuar i kanë zënë rrugën me mjetin tip "Renault-Espace" me targë BS E35028. Sipas thënieve të dëshmitarëve okularë në polici, ata kanë dalë menjëherë dhe e kanë qëlluar me thikë Likën. I plagosuri ka ecur vetë zvarrë për rreth 10 metra, derisa i janë afruar disa kalimtarë të rastit, të cilët e kanë ndihmuar të shkojë për ndihmë mjekësore në spital. Autorët më pas janë larguar me thikë në dorë, duke mundur t'u shmangen postblloqeve të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›