E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet, luftë shifrash mes partive politike

Autori i Lajmit: Red.
Sondazhet parazgjedhore shtojnë përplasjet mes partive politike. Parashikimet për fituesin e mundshëm të zgjedhjeve në qershor të vitit 2009 ndajnë përsëri jo vetëm të majtën nga e djathta, por dhe partitë opozitare më njëra-tjetrën. Sondazhet e kompanisë Zogbi janë vlerësuar si më se të besueshme nga socialistët, të cilët kanë dalë të parët dhe si aspak të tilla nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka dalë e treta në listën e partive, vetëm me 5 për qind. Dy ditë më parë ishte një tjetër sondazh, ai i Gani Bobi i cili përsëri u kundërshtua nga LSI, ndërsa u vlerësua nga demokratët, të cilët, në bazë të të dhënave të sondazhit, ishin të parët në listën e partive të preferuara. Faktet kontradiktore vënë në dyshim dhe vetë besueshmërinë e këtyre sondazheve. Të dhëna nga kompani të ndryshme presigjoze lajmesh shtojnë edhe më tej argumentet pro dhe kundër, të përdoruar nga subjektet politike.
Zogbi
Sondazhi i publikuar një ditë më parë ka përplasur PS-në dhe LSI-në. Deputeti socialist, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Ylli Bufi, e konsideron si shumë realist sondazhin Zogbi , ndërsa shton se ai përputhet me parashikimet e tij paraelektorale. Edhe për PSD, tendenca e sondazheve është ajo e paralajmëruar prej tyre. “PD dhe shumica qeverisëse është drejt shkërmoqjes dhe humbjes totale, si rezultat i skandaleve korruptive, krimit shtetëror, krizës ekonomike, mungesës së reformave, situatës së rënduar sociale dhe mashtrimit për të gjitha premtimet e bujshme”, - tha sekretarja e Grupit Parlamentar të PSD-së, Diana Çuli. Deputetja socialdemokrate, duke u bazuar te sondazhi, shtoi se LSI është forcë në rënie për shkak të pazareve politike dhe veprimeve kundër interesave të së majtës, siç është loja me buxhetet lokale. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, i quajti si “Fazliç-sondazhe” të dhënat e publikuara ditët e fundit të Gani Bobit dhe Zogbit . “Unë mund t ju them juve, se as sondazhi i Gani Bobit dhe as sondazhi i Gani Zgobit nuk e ndalojnë dot dhe nuk e pengojnë dot këtë ndryshim të jashtëzakonshëm që po ndodh në Shqipëri çdo ditë”, - tha Meta. Kreu i LSI-së shprehu bindjen se partia e tij do të arrijë të marrë 25-27 për qind të votave të zgjedhësve. Për të faktuar gabimin e Zogbit , Meta tha se kjo kompani në një nga garat më të rëndësishme në Brazil, në vitin 2006, ka gabuar për kandidatin për President me diferencën 20 për qind. Këto argumente janë mbështetur dhe nga demokratët. Mediat e njohura për mbështetjen ndaj selisë blu publikojnë të dhëna që vënë në dyshim besueshmërinë e Zogbit . Sipas tyre, Zogbi është vlerësuar jopozitivisht nga një sërë mediash ndërkombëtare, sikurse janë “Uashington Post” apo “Uall Strit Xhornal”, por edhe media të njohura televizive si CNN, CBS Neës apo ABC. Uarren Mitofski, koordinatori për sondazhet për vitin 2008 në disa televizione publike amerikane dhe koordinator i sondazheve për “Associated Press” shprehet se Zogbi nuk mund të konsiderohet si një firmë me reputacion për sondazhe. Gjithashtu, përgjegjësja për anketimet në CNN, Keating Holland, ka pohuar se, “Zogbi kishte një gabim prej 10 për qind në llogaritjen e votave që fitoi Kerry, duke ia zbritur ato, dhe duke i shtuar gabimisht 7 për qind kandidatit kundërshtar, Gephard, në shtetin Ioua”. E njëjta gjë i ndodhi firmës Zogbi në presidencialet e fundit amerikane për shtetin e Indianës, ku “Zogbi”, parashikoi fitoren e Mekeinit me të paktën 5 për qind avantazh kundër Obamës, por rezultatet dolën krejtësisht të kundërta. Dy ditë më parë ishte “Qendra për Studime Humanistike Gani Bobi nga Prishtina, e cila në sondazhin e saj nxori Partinë Demokratike, aktualisht në krye të koalicionit qeverisës, fituese të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurse PS-në me 37 % dhe LSI-në me vetëm 6.1 deri 7.1 %. Por ky sondazh është kundërshtuar ashpër nga LSI-ja ndërsa është vlerësuar nga PD. Zgjedhjet e qershorit do të përcaktojnë fituesin dhe do të vlerësojnë apo zhvlerësojnë të dhënat e sondazheve.
S.T

Ky lajm është publikuar: 12/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›