Sondazhi: Shqiptarët kanë humbur interesin për BE-në
Shqiptarët kanë humbur interesin për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Shifrat e publikuara nga raporti Perspektiva Europiane e Shqipërisë nga Albania Institute tregon se ndryshe nga një vit më parë niveli i mbështetjes për tu integruar në Bashkimin Europian ka pësuar ulje të ndjeshme. Përmbysjen e shifrave nga 93 % që ka qenë në vitin 2010 në 80%, ambasadorët e vendeve të BE-s të akredituar në Tiranë, të pranishëm, në prezantimin e raportit e kanë cilësuar mjaft alarmante. Për ambasadorin e BE-së, Etore Sekui, shkaku kryesor i humbjes së interesit të shqiptarëve për tu bërë pjesë e BE-së, “është kriza e tejzgjatur politike në vend, e cila, sipas tij solli edhe refuzimin e statusit te vendit kandidat për të dytin vit radhazi.” Gjithashtu Sekui kërkon nga “politika të informojë shqiptarët për avantazhet që përfitojnë shqiptarët me integrimin.”Të pranishmit në tryezë ndanë mendimin se nëse kjo tendencë rritet mund të shndërrohet në kundërshtimin ndaj reformave të nevojshme.