E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi, grekët ende pesimistë për situatë ekonomike në vend


Pothuajse shtatë në 10 grekë shprehen se situata ekonomike e vendit do të përkeqësohet ndërkohë që pjesa më e madhe, rreth 80 % i frikësohen konflikteve sociale. Lajmi është bërë i ditur pasi është publikuar ditën e shtune një sondazh nga gazeta e njohur greke ''Kathimerini''.
Vetëm 12 % e grekëve besojnë për një përmirësim të financave të vendit, që është zhytur në një krizë të rëndë pavarësisht marrjes së një kredie prej 110 miliardë eurosh nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian për tre vjet, sipas këtij sondazhi të publikuar nga e përditshmja ''Kathimerini''. Rreth tre e katërta e të pyeturve, rreth 72 % mendojnë se drejtimi i politikave ekonomike është i gabuar nga 18 % që mendojnë të kundërtën, sipas sondazhit të zhvilluar nga data 2 deri më 7 qershor nga Instituti Publik Issue. Greqia pavarsisht aplikimit të ndihmës nga ana e FMN-së dhe BE-së vazhdon që të ketë probleme serioze me defiçitin si edhe me borxhin publik. Gjithashtu ditët e fundit ekspertët europianë të ekonomisë europiane dhanë lajmin se Greqia mund të shkëputët nga zona euro dhe të kthejë monedhën e vjetër të dhrahmisë. Por një lajm i tillë u mohua kategorikisht nga qeveria greke dhe nga kryeministri grek, Jorgos Papandreu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›