E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA. Zbehen shpresat e Klintonit per kandidim



Dy rivalët e Partisë Demokratike për kandidimin presidencial në Shtetet e Bashkuara, Barak Obama dhe senatorja Hillari Klinton, kanë dalë me nga një fitore secili në zgjedhjet e fundit brenda-partiake. Por, ndërsa Barak Obama ka fituar me një dallim të mjaftueshëm në Karolinën Veriore, Hillari Klinton ka fituar me një rezultat të ngushtë në Indiana. Të dy kandidatët vazhdojnë të mbeten në garë për në Shtëpinë e Bardhë. Këto ishin zgjedhjet e fundit në shtetet e mëdha që do të ndihmojnë në zgjedhjen e kandidatit presidencial të Partisë Demokratike. Klinton ka fituar zgjedhjet brenda-partiake në Indiana, me 51 për qind të votave, përballë rivalit të saj, Barak Obama, i cili fitoi 49 për qind. “Jo para shumë kohësh, rivali im ka bërë një parashikim, duke thënë se unë do ta fitoj Pensilvaninë, ai Karolinën e Veriut, kurse Indiana do të jetë vendi që do ta zgjidhë këtë nyje. Pra, me këtë ditë e kemi zgjidhur nyjën dhe duke ju falënderuar, gara jonë për në Shtëpinë e Bardhë vazhdon me shpejtësinë e plotë”, - është shprehur Klinton. Ekspertët megjithatë kanë vlerësuar se matematika nuk është nga ana e saj. Kanë mbetur edhe gjashtë shtete për të mbajtur zgjedhjet brenda-partiake dhe asnjëri nga kandidatët nuk mund të fitojë në këto zgjedhje numrin e mjaftueshëm të delegatëve për t’u emëruar si kandidat presidencial. Kjo do të thotë se vendimi mbase do t’i mbetet 800 super-delegatëve, zyrtarë të zgjedhur partiakë, të cilët janë të lirë të marrin anën e cilitdo garues. Disa analistë thonë se rezultatet e fundit kanë zbehur shpresat e senatores Klinton për t'i bindur super-delegatët që ta mbështesin atë. Senatori Obama në Karolinën e Veriut ka fituar me një dallim prej 14 për qind të votave kundrejt senatores Klinton. Ai tani duhet t’i bindë super-delegatët se është kandidati më i mirë për të mposhtur kandidatin republikan, Xhon Mekkein, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Është e vërtetë se ka pasur lëndime në të dyja anët. Është e vërtetë se secila palë ka synuar që kandidati i saj të fitojë. Por, në fund të fundit, kjo garë nuk ka të bëjë me Hillari Klintonin, as me Barak Obamën, as me Xhon Mekkeinin. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me ju, me popullin amerikan”,-është shprehur Obama. Disa demokratë janë të shqetësuar se gara e gjatë dhe ndarëse midis kandidatëve demokratë mund t’i zbehë gjasat e tyre për të fituar zgjedhjet e nëntorit. Në këtë kuadër, Hillari Klinton mund të përballet me presionin për të hequr dorë nga gara në të mirë të partisë. Por, edhe kjo gjë nuk pritet të ndodhë deri në garën e fundit më 3 qershor, analistët thonë se super-delegatët mund ta bëjnë hapin e tyre pikërisht atëherë. Me këtë vendim, demokratët do të fitonin një kandidat presidencial, dy muaj para Kuvendit të Partisë Demokratike në muajin gusht, kohë e mjaftueshme për partinë që të bashkojë përpjekjet në mbështetje të garës më të madhe, atë për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›