E Diel, 1 Nëntor 2026

Koshtunica viziton Veriun e Kosovës para zgjedhjeve



Kryeministri në largim i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, vizitoi gjatë ditës së djeshme Kosovën në kuadër të fushatës parazgjedhore për votimet e së dielës. Lajmi për vizitën e tij u bë i ditur nga agjencitë kosovare të lajmeve megjithatë nuk është bërë e ditur nëse atij i është dhënë leja nga UNMIK-u apo jo. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka dashur të komentojë vizitën e Koshtunicës në Zubin Potok, megjithatë ai i ka bërë thirrje Beogradit që të distancohet nga përpjekjet që nxisin dhunë në Kosovë. Pjesë të tjera të Kosovës të banuara nga serbë janë vizituar edhe nga ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç i Partisë Demokratike të Serbisë. Ndërkohë liderët serbë të vijës së ashpër në Kosovë planifikojnë të themelojnë parlamentin e tyre pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. "Serbëve në Kosovë iu duhet trupi vetjak përfaqësues për të realizuar të drejtat e tyre legjitime”, - është shprehur njëri nga liderët serbë, Marko Jakshiç, duke shtuar se “është thelbësore të kihet parasysh plani për ndarjen funksionale të Kosovës”. Jakshiç tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Parlamenti i Kosovës është i dominuar nga shqiptarët dhe është “kukull” e perëndimit. Disa ditë më parë Kosovën e vizitoi edhe presidenti Boris Tadiç, i cili i festoi Pashkët Ortodokse në një manastir të Deçanit.

Thaçi: “Fitorja e demokratëve në Serbi, stabilitet për rajonin”

“Fitorja e forcave demokratike në Serbi do të ishte pozitive për stabilitetin dhe paqen në rajon”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo sipas kryeministrit do të shpaguante kontributin për rajonin që kanë dhënë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe NATO-ja. Thaçi është shprehur se fitorja e forcave demokratike do të ndikonte pozitivisht edhe në raportet ndërshtetore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kosova dhe Serbia janë dy shtete të veçanta të pavarura. Kush do të jetë udhëheqës, apo kush do të zgjidhet dhe se kush do të jetë fituesi i ardhshëm i zgjedhjeve në Serbi, kjo do të përcaktohet nga qytetarët e Serbisë. Megjithatë, çdo mesazh demokratik edhe nga Beogradi, ka reflektimet e mira edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, ka reflektimin edhe për investimet e komunitetit ndërkombëtar në gjithë rajonin”,-u shpreh kryeministri Thaçi pas takimit me ministrin suedez të Mbrojtjes, Sten Tolgfors.

Rusi, Medvedev merr postin e Presidentit, emëron Putinin kryeministër

Dimitrij Medvedev, kandidati i preferuar i presidentit Putin, u zgjodh presidenti i ri i Rusisë. Sapo ka marrë postin si kryeministër, Medvedev emëroi ish-presidentin Vladimir Putin kryeministër të vendit. Emërimi i tij u bë vetëm dy orë pasi Medvedev bëri betimin gjatë një ceremonie në Kremlin. Ai fitoi zgjedhjet e marsit me 70 për qind të votave, pasi Putin i dha përkrahje të fuqishme. Në fjalimin e tij, Medvedev u zotua se do t’i vazhdonte politikat e Putinit. “Në tetë vitet e kaluara është krijuar një bazë e fuqishme për zhvillim afatgjatë të vendit. Ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë rast unik që ta bëjmë Rusinë një ndër vendet në të mira në botë, për jetë të rehatshme e të sigurta”, - tha Medvedev. Putin u largua nga posti pas dy mandateve të njëpasnjëshme 4-vjeçare që lejonte Kushtetuta e Rusisë. Parlamenti mund të votojë për kryeministrin e ri që nga dita e sotme dhe besohet se miratimi është i sigurt, pasi partia pro-Kremlinit, Rusia e Bashkuar, ka shumicën e deputetëve.

Maqedoni, 41.4 për qind e të anketuarve “pro” njohjes së Kosovës

Pavarësia e Kosovës është miratuar nga rreth gjysma e qytetarëve maqedonas. Ky konstatim vjen nga një anketë e realizuar nga “Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave” ku është parë se
shumica e maqedonasve janë deklaruar pozitivisht për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër, 34.1 për qind janë deklaruar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa 24.5 për qind e të anketuarve nuk kanë dhënë mendimin e tyre lidhur me këtë çështje. Anketa është realizuar nga fundi i muajit prill ku janë anketuar 1100 qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›