E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi për antikorrupsionin, qeveria, më e besueshme se opozita

Në Ditën Botërore të Antikorrupsionit, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve publikoi një sondazh të realizuar me 1300 qytetarë shqiptarë. Pavarësisht ankesave të qytetarëve në lidhje me fenomenin e korrupsionit në vend, shumica e tyre i besojnë më shumë punës aktuale të qeverisë sesa premtimeve të opozitës. Nga 1300 qytetarët e pyetur, 435 prej tyre i besojnë qeverisë, por vetëm 430 i besojnë opozitës. Ndonëse sondazhi nuk përmbante arsyet se pse qytetarët besojnë më shumë te qeveria sesa te opozita, duket se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk është e bindur nga opozita që bën Edi Rama. Në këtë sondazh vihet re se qytetarët në përgjegjësi nuk janë të informuar, por janë edhe të paqartë në lidhje me strategjinë antikorrupsion që po ndërmerren. “Shqiptarët janë të paqartë mbi rolin e opozitës dhe qeverisë në luftën kundër korrupsionit”, - thuhet në njoftimin për shtyp të ZMQ-së. Sondazhi shpreh se nga qytetarët e pyetur duket se për ta institucioni i Presidencës është më i besueshmi, i cili është vlerësuar nga 485 qytetarë. Media dhe shoqëria civile kanë marrë vlerësime më shumë nga qytetarët. Por si zakonisht, tatimet dhe doganat janë vlerësuar si institucionet më problematike. Doganat dhe tatimet kanë marrë vetëm 130 vota, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vetëm 110 ndërsa zyra e Përmbarimit është vlerësuar vetëm me 80 vota, duke pasur besueshmërinë më të ulët. Në këtë sondazh është parë që 11 për qind e qytetarëve mendojnë se luftën kundër korrupsionit e pengon mungesa e një reagimi më të fortë civil e qytetar. Rreth 7 për qind e qytetarëve fajësojnë moszbatimin e vendimeve të gjykatave. Qytetarët kanë vendosur më shumë theksin tek shteti ligjor dhe pikërisht pjesa më e madhe e tyre, në masën prej 36 për qind, mendon se moszbatimi i ligjit ka fajin kryesor të fenomenit të korrupsionit. “Nevoja për një legjislacion të ri nuk shikohet më nga shqiptarët si domosdoshmëri pas 18 vitesh demokraci. Më shumë se nevoja për ligje të reja, qytetarët kërkojnë zbatimin e ligjeve ekzistuese”, - thotë njoftimi për shtyp i ZMQ-së. Sondazhi ka vazhduar më tej edhe me shqetësimet e përditshme të qytetarëve dhe duket se papunësia ka vendin e parë, duke e vlerësuar si më shqetësuesin nga 850 qytetarë. Më pas, korrupsioni dhe shëndetësia zënë vendet më poshtë si më shqetësuese. “Papunësia, korrupsioni, moszgjidhja e çështjes së pronave dhe shërbimi i dobët shëndetësor mbeten problemet madhore në perceptimin e qytetarëve shqiptarë. Korrupsioni vazhdon të mbetet plagë e hapur në sytë e të gjithëve. Është evidente që qytetarët pasivisht konsiderojnë moszgjidhjen e çështjes së papunësisë dhe premtimet për vende të reja pune kanë mbetur një program i dështuar i qeverisë”, - ka vlerësuar sondazhi. Çështja e pronësisë është cilësuar si tepër shqetësuese nga ana e qytetarëve si dhe një burim korrupsioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›