E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta i shkruan Ramës, kërkon një mundësi të dytë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë kryetarin e PS-së, Edi Rama, për kontestimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në letrën që i është dorëzuar Ramës para disa ditësh, me tone zyrtare, Meta paralajmëron ish-aleatin e tij se nëse nuk shfrytëzon mundësinë që i është dhënë për të ligjëruar standardet e zgjedhjeve, atëherë opozita humb mundësinë e garantit të zgjedhjeve. Meta paralajmëron se deri më sot, lëvizjet e kryera nga kreu i mazhorancës tregojnë se ia ka lënë në dorë opozitës të bëjë riparimet e duhura në Kodin Zgjedhor. Në një rast të tillë është po opozita, në këtë rast PS-ja, që do të mbajë peshën e përgjegjësit nëse ka parregullsi në zgjedhje ose nëse ato janë të kontestueshme. Nisur nga kjo, ai kërkon Ramës që të mos humbasë mundësinë e riparimit të neneve për administrimin e zgjedhjeve, në të kundërt, sipas tij, nuk ka asnjë justifikim nesër kur zgjedhjet të kontestohen. “Përpjekjet e Berishës për ta lënë riparimin e çështjeve të kontestuara krejtësisht në dorë të opozitës, na ngarkon si parti opozitare me përgjegjësi edhe më të madhe për të sotmen dhe për të nesërmen e demokracisë dhe stabilitetit në vend. Sali Berisha përsëri mund të vërë dorë mbi zgjedhjet e vitit 2009 dhe votën e lirë të shqiptarëve, por edhe fitorja e pritshme e opozitës mund të komprometohet dhe kontestohet prej tij. Nesër nuk do të ketë asnjë justifikim dhe asnjë alibi për mosshfrytëzimin e kësaj mundësie të krijuar nga kthimi për rishqyrtim të Kodit”, - shkruan Meta. Pas këtij arsyetimi, Meta i kërkon kryesocialistit që të reflektojë mbi këtë mundësi për t’i dhënë vendit një Kod Zgjedhor që prodhon zgjedhje të lira, të ndershme e të pakontestueshme. “Unë jam i gatshëm të takohem me ju për të shqyrtuar konkretisht mundësitë që krijon një rast i tillë”, - shprehet Meta. Edhe pse nuk ka pasur një përgjigje me letër dhe zyrtare sikundër kërkoi LSI-ja, duket se çështja e takimit mes dy liderëve të së majtës ka marrë fund në mbrëmjen e dy ditëve më parë, kur Rama pranoi takimin me Ilir Metën, por jo për Kodin Zgjedhor. Rama e ka konsideruar çështje të mbyllur ligjin e ri elektoral. Letra e Metës, e cila u zbardh për mediat vetëm dje, pas përgjigjes së Ramës, lë të nënkuptohet se Meta është për një bashkim të së majtës kur shprehet se “Kodi Zgjedhor, i cili krijon mundësinë e përcaktimit të peshës reale të partive politike nga qytetaret, bën që mundësia e bashkëpunimit të ardhshëm paszgjedhor të vlerësohet me realizëm”. Ai i përmend haptazi dhe qartë se Partia Socialiste mban përgjegjësi të jashtëzakonshme për ecurinë e procesit zgjedhor dhe, edhe pse flet në shumës, LSI-ja e shkarkon veten nga kjo përgjegjësi, pasi e ka kontestuar Kodin dhe gjatë hartimit të ligjit nuk iu mor parasysh asnjë prej propozimeve.

Kodi Zgjedhor, LSI-ja kërkon ndihmën e Topallit

Lëvizja Socialiste për Integrim shton përpjekjet për të bindur dy partitë e mëdha që të dialogojnë për të përfshirë kërkesat e në saj në Kodin Zgjedhor. Pas letrës në adresë të Ramës, dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar “E Majta për Integrim”, Pëllumb Xhufi, i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Përmes kësaj letre Xhufi kërkon ndihmën e saj në mënyrë që të kërkojë mendimin e disa organizmave ndërkombëtarë të specializuar për zgjedhjet në lidhje me kërkesat e tyre. “Në funksion të arritjes së një konsensusi maksimal për Kodin Zgjedhor, Ju kërkojmë që, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, t’i drejtoheni për një mendim të specializuar, në një kohë sa më të shkurtër, institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, si OSBE/ODIHR, Komisionit të Venecias dhe Misionit Euralius në Shqipëri. Ne gjykojmë se duhet bërë çdo përpjekje për të hapur më tej procesin e miratimit të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe thithjen e ekspertizës më të specializuar ndërkombëtare në këtë fushë”, - shkruan Xhufi në letër. Më tej, kryetari i këtij grupi parlamentar shkruan se “duke marrë shkas nga kthimi për rishqyrtim të projektligjit për Kodin e ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë nga ana e Parlamentit të Republikës, do të kërkonim mirëkuptimin Tuaj për të shfrytëzuar këtë moment kohor për t’i bërë Kodit në fjalë përmirësimet e nevojshme, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të pakontestueshme dhe në përputhje të plotë me standardet evropiane”.

Vasili: Nëse nuk ndryshohet Kodi, bojkotojmë seancën

Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëroi dje bojkotin e seancës parlamentare kur Kuvendi do të kalojë për votim ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas kërkesës së Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Një ditë pasi Rama refuzoi takimin me ish-aleatin e tij, Ilir Meta, për Kodin Zgjedhor, LSI-ja shton presionin ndaj PS-së. “Në rast se seanca plenare do të fusë dhe do të shqyrtojë vetëm çështjen e ndryshimit të dispozitave që kanë të bëjnë me datën e zgjedhjeve apo afatet zgjedhore dhe nuk merr në shqyrtim çështjet e administrimit të Kodit, sigurisht që ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë dhe gjatë gjithë kohës nuk do ta njohim atë pjesë të Kodit që ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve”, - tha Petrit Vasili. I pyetur mbi deklaratën e Ramës dy ditë më parë në emisionin “Shqip”, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie e konsideroi joserioze përgjigjen e Ramës edhe në nivelin teknik. “Në radhë të parë dua t’i bëj të qartë të gjithë opinionit publik, që ne i jemi drejtuar në mënyrë zyrtare PS-së, por nuk kemi një përgjigje zyrtare, edhe në këtë moment që ne po bashkëbisedojmë, lidhur me qëndrimin e tyre ndaj një ftese të caktuar me një objektiv konkret”, - tha Vasili. Ndërsa nga pikëpamja politike, LSI-ja e konsideron përgjigjen e Ramës përfundimtare, duke e akuzuar direkt, si të vetmin fajtor, nëse zgjedhjet nuk rezultojnë sipas standardeve të kërkuara.

Klosi: Incidenti në KOKSH, Pango, i njëanshëm

Partia Socialiste akuzoi dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve se është treguar e njëanshme për incidentin e ndodhur pak ditë më parë në KOKSH. Ish-ministri i Kulturës në qeverinë socialiste, Blendi Klosi, tha se kjo ministri jo vetëm nuk ka bërë detyrën e saj, po përkundrazi, ka marrë anën e dhunuesit Esat Ademi. “Deklarata formale e ministrit për dënimin e dhunës nga njëra anë, ku flitet për dënim të "dhunës ngado që të vijë", ndërkohë që e gjithë Shqipëria e ka parë se dhuna ka ardhur saktësisht nga një person me emër e me mbiemër, dhe nga ana tjetër, fakti se është ndaluar në polici jo dhunuesi, po një njeri i denoncuar prej dhunuesit, tregojnë qartë se dhunuesi Esat Ademi ka vepruar i mbështetur nga pushteti”, - deklaroi Klosi. Sipas tij, kjo situatë e krijuar në KOKSH dhe qëndrimi komprometues i qeverisë tregojnë edhe një herë se ky pushtet i politikës së vjetër me mendësi komuniste nuk bashkëjeton dot me institucionet e pavarura qoftë edhe në sport, ku primitivizmi i pushtetarëve tanë doli përsëri në pah edhe në marrëdhënie me KOKSH-in pas skandaleve të njëpasnjëshme me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Rama: Qeveria, e dështuar në luftën antikorrupsion

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Antikorrupsion, kryetari i PS-së, Edi Rama

tha se qeveria shqiptare, motoja e së cilës kur fitoi zgjedhjet më 3 korrik 2005 ishte lufta antikorrupsion, është njehsuar tanimë me këtë fenomen.

“Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për një qeveri duarsh të pastra, e shohin më qartë se asnjëherë që vota e tyre ka shkuar dëm.

Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për një qeveri kundër korrupsionit, e kuptojnë më qartë se asnjëherë që qeveria është njehsuar me korrupsionin”, - tha Rama. Ai theksoi se më 3 korrik 2005 shqiptarët i dhanë Sali Berishës mundësinë që t'i udhëheqë jashtë tunelit të korrupsionit, ndërsa sot, sipas tij, e ndiejnë më qartë se asnjëherë se dalja nga ky tunel është e pamundur me Sali Berishën në krye të qeverisë. Më tej, Rama kërkoi drejtësi për 26 viktimat e Gërdecit, por edhe për qindra miliona euro që sipas tij, janë të grabitura nga fondet e rrugës Durrës-Kukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›