Sondazhi:Evropianët kërkojnë largimin e emigrantëve
Shumica e popullsisë së vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se autoritetet duhet t'u kërkojnë emigrantëve të papunë të largohen nga këto vende. Lajmi bëhet me dije nga një sondazh i qendrës "FT/Harris", rezultatet e të cilit u publikuan nga gazeta "Financial Times", konstatonte që më shumë se tre të katërtat e italianëve, britanikëve dhe një shumicë në Francë, Gjermani, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesnin qeveritë e tyre në kërkesën për largimin e emigrantëve.Rezultatet e sondazhit përbëjnë një sinjal të qartë që papunësia në rritje në këto vende mund të bëhet një çështje kryesore politike në Evropë dhe mund të ndikojë në mbështetjen popullore ndaj partive të djathta ekstreme.Niveli i papunësisë në Evropë dhe SHBA ka filluar të rritet me shpejtësi si pasojë e krizës globale ekonomike. Niveli i papunësisë në Spanjë është më i lartë se 14 për qind, ndërsa në Gjermani dhe Francë papunësia arrin përkatësisht në 7 dhe 8 për qind.Në Britaninë e Madhe, ku papunësia ndodhet në nivelin më të lartë në dhjetëvjeçarin e fundit, tregu i ngurtësuar i punës ka sjellë sërish në vëmendje çështjen e punësimit të të huajve. Punonjësit britanikë të ndërtimit protestuan këtë vit kundër punësimit të të huajve në këtë sektor të rëndësishëm.Në sondazhin e qendrës "FT Harris" u anketuan gjithësej 6,538 persona në Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe, Spanjë, SHBA dhe Itali nga data 25 shkurt deri më 3 mars.