Londra sekuestron drogën “rekord” në historinë e saj
Një rrjet i madh i trafikut të drogës që shtrihej nga Londra në Karaibe dhe Kolumbi nëpërmjet Spanjës është neutralizuar nga Policia Britanike, e cila ka arritur të sekuestrojë 400 milionë paund kokainë, që do të shpërndahej në Britani. Sipas “Times online”, në orën 8 të mëngjesit, policia spanjolle në bashkëpunim me “Central Task Force” dhe “Serious Organised Crime Agency”, (SOCA) u ngjitën në një anije 200 milje larg brigjeve Iberiane dhe zbuluan rreth 1.5 tonë kokainë. Policia ende po kërkon “The Destiny Empress”, një ish-varkë e kontrollit detar dhe pritet të gjendet akoma më shumë sasi kokaine e fshehur brenda saj. Në televizionet ndërkombëtare, në edicionet e lajmeve është raportuar se anija “The Destiny Empress” mund të ketë ardhur nga Kaguaramas, Trinidad, Kolumbia. Për të hetuar këtë trafik ishte dërguar nga Londra një skuadër elite e njësive speciale të anti krimit dhe ekspertë të doganave. Besohet se sasia më madhe e drogës ishte e destinuar për Londrën. Trembëdhjetë shqiptarë e kosovarë janë arrestuar në Britani në lidhje me këtë çështje. Po ashtu edhe disa anëtarë të ekuipazhit të anijes, e cila po udhëtonte nga Spanja për në Indinë perëndimore, janë arrestuar. Sipas një oficeri të policisë londineze, “të arrestuarit kanë eksperiencë kriminale me rrjete që kanë ekzistuar prej kohësh. Lidhjet dhe trafiku i tyre shtrihen nga Londra dhe Spanja në Karaibe dhe Kolombi”. Aksioni ishte pjesë e një operacioni të drejtuar nga “Central Task Force” londineze, pjesë e komandës së Krimeve të Rënda dhe të Organizuara, e mbështetur nga Byroja e shërbimeve sekrete “Met” dhe SOCA. Operacioni ishte i fokusuar në rrjetet e krimit të organizuar, të angazhuara në importet dhe shpërndarjen në sasi të mëdha të drogave të klasit të parë, si dhe pastrimin e miliona Paundësh. Hetuesit londinezë dhe ata spanjollë janë shprehur për mediat se kjo ishte sasia më madhe e sekuestruar nga “Met” ndonjëherë dhe kanë premtuar hetim profesional dhe kanë siguruar se e keqja që do t’i bëhej komunitetit britanik nga ky rrjeti madh trafiku është ulur në mënyrë të ndjeshme.