E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sopi, te zbuluesit e yjeve

Agim Sopi është emëruar trajner i ekipit suedez FC Rosengard, prej nga kanë dalë yje në futbollin suedez si Ibrahimovic, Osmanovski e Harbuzi. Trajneri shqiptar premton se do ta ndërtojë një ekip kompakt, i cili do të ofrojë lojë të bukur dhe ta ngritë këtë ekip në nivele të larta.

Agim Sopi është emëruar trajner i ri i ekipit suedez FC Rosengard. Pas spekulimeve, më në fund ka arritur edhe zyrtarizimi. Trajneri shqiptar ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me ekipin nga kategoritë më të ulëta të futbollit suedez.

Ky ekip, i formuar në vitin 1917 me emrin Malmo Boll & Idrottsforening, është i njohur në Suedi, pasi që nga ai kanë dalë disa lojtarë të famshëm në këtë vend si Zlatan Ibrahimovic, Yksel Osmanovski e Labinot Harbuzi. Lajmin për angazhimin e trajnerit shqiptar e ka bërë të ditur drejtori sportiv i FC Rosengard, Ivica Kurtovic.

“Nënshkruam për dy vjet me mundësi shkëputjeje pas një viti. Mirëpo, qëllimi ynë është që të vazhdojmë për një kohë afatgjate. Pasi kemi rënë nga divizioni i parë, dëshirojmë ta kemi një fillim të mbarë. Dhe Agim Sopi i përshtatet më së miri mënyrës se si dëshirojmë të veprojmë ne”, theksoi Kurtovic për mediat suedeze.

Në të kaluarën, Sopi ka drejtuar klubet BK Naset në divizionin e pestë e Veberods AIF në divizionin e tretë, por në gjashtë muajt e fundit ka bërë pauzë, pasi ishte ndarë nga ekipi i fundit Vaif.

FC Rosengard këtë sezon do të ketë risi të mëdha, sepse shumë lojtarë do të largohen për shkak se ra në një kategori më të ulët garash. Mirëpo, trajneri shqiptar beson se do të kryejë punë të mirë në këtë ekip, të cilin e njeh. Atij i duhet ta ndërtojë një ekip krejt të ri.

“Sezonin e kaluar kërkuan që të bëhesha ndihmës i Olof Persson, por unë refuzova ofertën sepse dëshiroja të kisha përgjegjësi më të mëdha në këtë ekip”, thotë fillimisht Sopi.

“Nuk më nevojitet periudhë e gjatë për ta përgatitur ekipin. Vetëm pjesërisht, ngase dëshiroj ta ngrit ekipin në nivel sa më të lartë që të jetë e mundur. Rosengard është një skuadër që e kam vëzhguar në vitet e fundit”, shtoi ai.

Drejtuesit e klubit i kanë bërë objektivat e qartë për sezonin e ardhshëm. Ata duan futboll atraktiv dhe me topin përtokë, stil ky i cili i përshtatet Sopit.

“Duhet t’i gjejmë lojtarët e duhur. Unë i kam idetë e mia se çka dua. Janë disa lojtarë me perspektivë. Duhet ta bëjmë një miks të duhur. Vitet nuk kanë rëndësi për mua, vetëm lojtarët janë në formë dhe në nivel të duhur”, përfundoi Sopi.

Sopi, i cili si futbollist kishte luajtur për ekipet Croatia e IFK Malmoö, do ta marrë detyrën e re zyrtarisht më 1 dhjetor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›