Sorensen shqetësime për krizën politike në Maqedoni
Ambasadori i ri i BE-së në Shkup, Piter Sorensen ka shprehur shqetësime lidhur me krizën politike në Maqedoni.
Burime pranë zyrës së BE-së bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve INA se diplomati danez, i cili javën e kaluar filloi mandatin e ambasadorit evropian pritet që prej sot të fillojë takimet me përfaqësues të partive parlamentare.
Euroambasadori Sorensen sot do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski për tu njohur me zhvillimet e fundit lidhur me bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës. Përveç bojkotit, Sorensen do të dëgjojë palët politike edhe për mosmarrëveshjet lidhur me parakushtet për zgjedhjet e parakohshme.
Euroambasadori Sorensen premtoi se personalisht do të investojë të gjitha përpjekjet e tij për realizimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë.
“Do të investojë të gjitha përpjekjet dhe kapacitetet për ti ndihmuar vendit tuaj në përpjekjet për të realizuar perspektivën në Bashkimin Evropian. Gjithashtu të krijojmë edhe marrëdhënie sa më efikase me institucionet e BE-së”, ka nënvizuar ambasadori i BE-së, Piter Sorensen