E Diel, 1 Nëntor 2026

Soros: Falimentimi i Greqisë do përshkallëzonte krizën

ATHINE - Përshkallëzim të krizës në eurozonë, në rast të një falimentimi të Greqisë, parashikon investitori amerikan George Soros, ndërsa thekson se ishte gabim i Europës që i dha Greqisë kredi me interesa të larta në fillim të krizës. 

Duke folur për revistën gjermane "Der Spiegel", Soros vë në dukje se kreditë me interesa të larta e pengojnë sot Greqinë të rimëkëmbet dhe parashikon se e njëjta gjë do të ndodhë dhe në Itali, nëse i drejtohet të njëjtit "kostum të ngushtë". 

Sa i përket një falimentimi të mundshëm të Greqisë, Soros paralajmëron se një gjë e tillë do t'i sillte qytetarët e Italisë dhe të Spanjës në sportelet e bankave dhe më pas do të shkatërronte gjithë Europën. Ndërkaq, Soros vlerëson se Europa do ta shpëtojë përsëri Greqinë. 

Multimiliarderi amerikan vë më tej në dukje që ndonëse e admiron kancelaren gjermane Angela Merkel si lidere, konsideron se tani po e shpie Europën në drejtim të gabuar dhe i referohet konkretisht nevojës që vendet të cilat përballen me krizën ekonomike, në vend se të shtyhen vetëm në masa shtrëngese ekonomike të ripërtërihen me injeksione zhvillimi. "Në të kundërt, përsëritim gabimin që i çoi SHBA-të në recesionin e viti 1929. Mirëpo Angela Merkel nuk e kupton", thotë shprehimisht Soros dhe ia dedikon krizën gabimeve të Bashkimit Europian, ndërsa shton se "Europa duhet të jetë në gjendje t'i zgjidhë vetë problemet e saj", pa implikim të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›