Rritja e siguracioneve, Konfindustria: Kapje e shtetit, cënon ekonominë e tregut
Tiranë- Pas rritjes së menjëhershme të çmimit të siguracionit të automjeteve nga kompanitë që operojnë në vendin tonë ka reaguar Konfindustria, e cila e ka konsideruar këtë veprim në kundërshtim të plotë me rregullat e ekonomisë së tregut.
Përmes një deklarate për shtyp administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku e ka cilësuar rritjen e njëhershme të çmime si një kapje të shtetit me pasoja të rënda në ekonomi.
Konfindustria shpreh shqetësimin, se është në kundërshtim të plotë me rregullat bazë të funksionimit të ekonomisë së tregut të lirë si dhe shfaqje e qartë e kapjes së shtetit me pasoja të rënda në interesin publik dhe ekonominë kombëtare mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon tregu shqiptar i sigurimeve. Eshtë krejtësisht e papranueshme kur nga njëra anë detyrohen me ligj bizneset dhe qytetarët të sigurohen dhe nga ana tjetër në këtë treg të dhuruar dhe garantuar vendosja e çmimeve të sigurimeve lihet krejtësisht në dëshirën e operatorëve- tha Buxhuku.
Ndërkaq Konfindustria ka kërkuar që të ndermerren veprime ligjore të cilat do të nxisin konkurencën dhe do të përmisojnë cilësinë e shërbimit. Sipas Buxhukut nismat ligjore duhet të konsistojnë në heqjen e sigurimit të detyrueshëm të të gjitha kategorive të makinave për biznesin dhe qytetarët dhe kthimin plotësisht në sigurim vullnetar, si dhe lehtësimin e kushteve të liçensimit me qëllim nxitjen e hyrjes së operatorëve të rinj të sigurimit në tregun shqiptar.
Masat e mësipërme janë të vonuara dhe duhet të ishin ndërmarrë njëkohësisht me liberalizimin e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të vendosur nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare disa kohë më parë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të krijoheshin kushtet e duhura për të shmangur përgjithmonë rrezikun e shfaqjeve të oligopoleve dhe/ose organizimet e tipit kartel të operatorëve me pasoja të rënda financiare për biznesin dhe qytetarët- vijon më tej deklarata e Konfindustrisë.
Po ashtu, Buxhuku ka deklaruar se rrija e shumëfishtë e çmimit të policës është në dëm të konsumatorit shqiptar dhe biznesit.
Vetëm nga fiksimi i fundit i çmimit të policës së sigurimit të automjeteve, që përbën dhe pjesën me të madhe të tregut të sigurimeve, kemi një rritje prej disa dhjetra milione euro në dëm të publikut /biznes dhe qytetar- përfundon deklarata për shtyp e Konfindustrisë.
Rritja e çmimit të siguracioneve filloi me urdhërin e datës 1 shkurt 2012, nga të gjitha kompanitë e sigurimeve dhe rritja e çmimit ka prekur të gjitha llojet e automjeteve. Nëse para datës 1 Shkurt çmimi i siguracionit për një autoveturë me fuqi deri në 1600 centimetër kub, ishte rreth 4500 lekë, pas datës 1 Shkurt çmimi kapi shifren e 14 mijë lekëve, ose mbi 3 herë më shumë.
Dorina Bilbili/IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- Trusti i sigurimeve, kompanitë trefishojnë çmimin njëherësh Tiranë- Edhe pse është një treg i lirë dhe çmimi...
- Energjia, Berisha: Liberalizimi i tregut, kusht për zhvillim Tiranë- Liberalizimi i tregut të energjisë dhe përqendrimi në energjitë...
- Berisha: Liberalizim të plotë të tregut energjitik në vend Liberalizim të plotë të tregut energjitik në Shqipëri. Kjo ka...