E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot 18 vite nga dita e rinisë

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit "Studenti", u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Studentët protestues të dhjetorit '90 kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik. Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë: një fituese dhe një të humbur. Koha tregoi se të fituar ishin të gjithë, shteti, shoqëria dhe individët, partitë. Me rastin e kësaj ditë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), nën angazhimin e veçantë të Kryeministrit Sali Berisha do të organizojë një sërë veprimtarish përkujtimore, artistike dhe kulturore. Qëllimi i tyre do të jetë kujtesa historike dhe promovimi i rolit të rinisë në përmbysjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit në vend. Në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë, në orën 11:30 organizohet një koncert nën kujdesin e veçantë të Kryeministit,Sali Berisha, me mesazhin "Shqipëria po ndryshon", ku do të marrin pjesë këngëtarë dhe grupet më të mira të muzikës të lehtë shqiptare. E veçantë në organizimin e këtij koncerti, do të jetë përmbajtja e skenarit, i cili do të evokojë emocionet e protestave për liri dhe demokraci, të studentëve, në vitet '90. Ky aktivitet do të shoqërohet nga një panair rinor i cili përfshin, njohje me dokumente të rëndësishëm të këtij sektori, punën me organizatat rinore, etj Një sërë aktivitesh me karakter historik do të mbahen dhe në institucionet më të rëndësishme artistike që janë në varësi të MTKRS, siç është Teatri Kombëtar, ku do të vihet në skenë shfaqja e artistëve të rinj, fituese në Festivalin e çmimit të parë në Festivalin Teatror për të rinj, që u organizua muajin e kaluar. Dita e Rinisë Shqiptare, 8 Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›