Dita e rinisë, koncert me rastin e lëvizjes studentore

Me rastin e ditës së rinisë dhe në kujtim të lëvizjes studentore të vitit 1990, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS po organizon në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë, një koncert me mesazhin "Shqipëria po ndryshon", ku marrin pjesë këngëtarë dhe grupet më të mira të muzikës të lehtë shqiptare. E veçantë në organizimin e këtij koncerti, do të jetë përmbajtja e skenarit, i cili do të evokojë emocionet e protestave për liri dhe demokraci, të studentëve, në vitet '90. Ky aktivitet do të shoqërohet nga një panair rinor i cili përfshin, njohje me dokumente të rëndësishëm të këtij sektori, punën me organizatat rinore, etj Një sërë aktivitesh me karakter historik do të mbahen dhe në institucionet më të rëndësishme artistike që janë në varësi të MTKRS, siç është Teatri Kombëtar, ku do të vihet në skenë shfaqja e artistëve të rinj, fituese në Festivalin e çmimit të parë në Festivalin Teatror për të rinj, që u organizua muajin e kaluar. Dita e Rinisë Shqiptare, 8 Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990.