Sot Konventa e LSI, shtohen përplasjet në parti për marrëveshjen me BerishënNga TemaEdhe pse marrëveshja mes Ilir Metës dhe Sali Berishës për të qeverisur vendin tashmë është një fakt i kryer, Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të mbledhë sot Kon
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sot Konventa e LSI, shtohen përplasjet në parti për marrëveshjen me BerishënNga TemaEdhe pse marrëveshja mes Ilir Metës dhe Sali Berishës për të qeverisur vendin tashmë është një fakt i kryer, Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të mbledhë sot Konventën Kombëtare si organin më të lartë të partisë për të bekuar marrëveshjen e për të hapur negociatat për krijimin e qeverisë së re.
Por, në Lëvizjen Socialiste kanë nisur tashmë përçarjet, të cilat ishin lajmëruar dhe më parë në gazetën “TemA”.
Përplasjet në gjirin e LSI
Grupi i politikanëve më të vjetër, themelues të kësaj partie së bashku me Metën, ka deklaruar se vendimi për daljen në një koalicion me Berishën është personal i vetë Metës.
Sabit Brokaj tha dje se, ajo që del e humbur në këtë qeverisje, do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila do të humbasë elektoratin e saj. Brokaj ishte i ashpër, kur e krahasoi Metën me Ndokën. Ai shtoi se Meta është tepër i ri për të mbyllur në këtë mënyrë karrierën politike. Sipas Brokajt, Meta po e zhyt partinë në baltë.
Fatos Klosi, një tjetër figurë e rëndësishme e kësaj partie, ka dalë kundër kësaj marrëveshjeje.
Zyrtarët e lartë të LSI kanë pranuar se nuk ka pasur një vendim kryesie për bashkëqeverisjen me Berishën. Natën kur është mbledhur kryesia për të diskutuar për marrëveshjen, ka patur një debat të fortë, që ka degjeneruar në përplasje. Atëherë kur dukej se mbledhja e kryesisë po degjeneronte, Meta e ka mbyllur atë, duke dalë me një deklaratë të shkurtër se do të pritej rezultati zgjedhor për të vendosur për më tej.
Meta për kryeministër
Megjithatë nuk u prit rezultati i zgjedhjeve. Një rezultat i shpallur në mënyrë të dyshimtë nga KQZ nuk mund të ketë shërbyer për LSI si fundi i procesit zgjedhor. Ajo vetë ka deklaruar se ka një dosje të madhe me ankimime për procesin. Por Meta deklaroi se do të qeveriste me Berishën.
Tensioni ka qenë i lartë, deklaratat e tij kanë qenë të mbushura me mllef, ndërsa në intervistën e parë televizive pas këtij vendimi, Meta ka thënë se Rama i ka ofruar postin e kryeministrit dhe ai e ka refuzuar atë. Meta tha gjithashtu se Rama kishte ndërmend të fitonte zgjedhjet me vota të blera nga e djathta. Pakkush është i prirur ta besojë këtë deklaratë të Metës, jo vetëm sepse PS po lufton për disa mandate që mendon se i janë vjedhur dhe po i tjetërsohen, por sepse në këtë rezultat të ngushtë, asnjë aleat ndërkombëtar nuk do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me një qeveri që do ngjizej nga blerja e individëve nga kampi tjetër.
Berisha, i fituari i kësaj beteje
Prandaj Meta i duhej kryeministrit, Sali Berisha. Ky i fundit mund të blinte deputetë nga kampi i majtë dhe të kishte një mazhorancë, por atij i duhej një parti për koalicion qeverisës. Tjetërsimi i vullnetit të popullit me disa ligjvënës do ishte i patolerueshëm. Koalicioni me Metën është një zgjidhje fantastike për Berishën. Ai mund të nisë kështu rrugëtimin qeverisës me një imazh të mirë te të huajt dhe nëse Meta vendos që të largohet nga koalicioni në mes të rrugës, kryeministri, Sali Berisha, ashtu siç dhe ka treguar, mund të ketë të gatshëm planin rezervë, duke blerë vota nga e majta ose duke përçarë vetë LSI. Kështu, edhe nëse partia do të dalë nga koalicioni, do jetë tepër vonë që dikush t’i kujtojë kryeministrit se nuk mund të bëjë të tilla pazare. Në këtë mënyrë partia e Metës do të shërbejë si një varkë shpëtimi për Berishën, sa për të kaluar këtë periudhë.
Faktor stabiliteti dhe reformash
Sado të pretendojë Lëvizja Socialiste për Integrim se ajo do të jetë faktor për reformat në vend, sërish numrat janë kokëfortë. Ajo nuk do të mund të kushtëzojë asnjë ligj të rëndësishëm të qeverisë. Numrat e saj shërbejnë vetëm për të bërë qeveri. Partia Socialiste do të ketë një grup shumë të madh e të rëndësishëm parlamentar. Sërish Berisha do jetë i detyruar që të shtrijë dorën e bashkëpunimit te Partia Socialiste. Më kot flet Meta dhe të tjerët se do të bëjnë ndryshime në Kod që do favorizojnë këtë parti. Dashje pa dashje, një eksponent i LSI, Spartak Braho, i cili foli me superlativa për marrëveshjen Meta- Berisha, edhe pse kur u bënë listat e kandidatëve ishte mjaft i acaruar me kryetarin, zbuloi një të dhënë interesante të Kuvendit që shkoi: sipas tij, nga mbi 700 ligje që janë miratuar, 90 për qind janë bërë me konsensusin e PD dhe të PS. Më së paku kjo tregon se PS nuk ka qenë një forcë destruktive, e më së shumti tregon se LSI nuk do jetë askushi në parlamentin e ardhshëm, përveçse do ketë ndonjë dikaster, ku do të sulen disa përkrahës të saj për të abuzuar. Ashtu siç ka ndodhur me Ndokën dhe Pollon.
Imuniteti i Mediut
Që në nisje të legjislativit të ri Meta dhe partia e tij do të përballen me një dilemë të fortë. Ish-ministri i Mbrojtjes, i akuzuar direkt për ngjarjen e Gërdecit, do të vishet me imunitet, pasi arriti t’i shpëtonte gjykimit për këtë skandal. Një gjë është e sigurt, Partia Demokratike me të gjitha qëndrimet e saj i ka paraprirë mbrojtjes që do i bëjë Mediut dhe nuk do lejojë sërish të zhvishet nga imuniteti. Vetë Berisha e ka quajtur disa herë proces politik atë kundër Mediut dhe nuk do të rrëzojë kurrë poshtë këto qëndrime të tij. Metës do t’i duhet të shprehet për këto çështje, ndoshta nga tribuna e kryetarit të Kuvendit, aty ku disa muaj më parë ndodhej Jozefina Topalli, së cilës ai i ishte sulur rrëmbyeshëm në një rast të paprecedent të dhunës parlamentare në Shqipëri.
Konventa
Mundet që kongresi i LSI të jetë thjesht një shfaqje e organizuar me kujdes deri në detaje për të mos shpëtuar asnjë gjë kundër. Mjaft figura të LSI janë të irrituar, por mund të mos shfaqen në publik. Pëllumb Xhufi, i ashtuquajtur “historian leshi” nga Berisha, ishte një nga kundërshtuesit e mëdhenj të marrëveshjes. Por Meta mund ta kënaqë atë me ndonjë post ministror. Në këtë mënyrë Meta mund të shuajë disa zëra, por duket se do e ketë shumë të vështirë për të përmbajtur të gjithë kundërshtimet. Një ditë ato do shpërthejnë. Ndoshta sot.