E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta lë kundërshtarët pa “zë dhe figurë”Nga Tema Pëllumb Xhufi dhe Fatos Klosi, dy zërat kundër bashkëpunimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, nuk kanë arritur t’i përcjellin mesazhet e tyre përtej mureve të Teatr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Meta lë kundërshtarët pa “zë dhe figurë”Nga Tema

Pëllumb Xhufi dhe Fatos Klosi, dy zërat kundër bashkëpunimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, nuk kanë arritur t’i përcjellin mesazhet e tyre përtej mureve të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku po mbahej Konventa e jashtëzakonshme e LSI.

Shkak është bërë ndërprerja e sinjalit të transmetimit televiziv. Media televizive nuk ka arritur të marrë asnjë fjali nga referimet e Xhufit apo të Klosit, duke detyruar gazetarët të përcjellin mesazhet e tyre te publiku nëpërmjet burimeve të tjera alternative.

Burime brenda forumit të lartë të forcës politike që po konfirmonte vendimin për t’u futur në qeverinë e ardhshme Berisha, bëjnë të ditur se nënkryetari i LSI, Xhufi, nuk e ka konsideruar “ndonjë skandal të madh firmosjen e bashkëpunimit mes Metës dhe Berishës”, por, sipas tij, LSI duhej të kishte marrë më shumë kohë për të arritur në një vendim të tillë “ashtu siç u vendos në mbledhjen e parë të kryesisë, për pritjen e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ”.

Sipas tij, LSI nuk kishte asnjë arsye të ngutej për të nisur negociatat e menjëhershme. Më tej në fjalën e tij Xhufi kritikoi drejtuesit e LSI, sepse nuk i bënë publike hyrje-daljet e ndërkombëtarëve nga selia e LSI, të cilët negocionin gjithashtu për të krijuar qeverinë e re. “Në këtë mënyrë edhe ju do të njiheshit me ecurinë e këtyre negociatave”, - mësohet t’u jetë drejtuar Xhufi delegatëve të Konventës. Ai ka sugjeruar madje dhe një tjetër zgjidhje të mesme që, sipas tij, nuk do të mbante LSI në një pozicion të kritikueshëm në sytë e elektoratit te majtë. Sipas Xhufit, LSI nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë me ministra, por ajo mund ta votëbesojë atë, si dhe të votojë pro ligjeve që mbështetën nga programi i LSI, siç mund të jetë ligji për pensionet. Radikal kundër bashkëpunimit me Berishën është Fatos Klosi, i cili gjatë fjalës së ndërprerë disa herë nga delegatët, ka deklaruar se nuk mund të ketë bashkëqeverisje me Berishën, pasi mbi këtë ishte bazuar e gjithë kauza elektorale dhe beteja politike e LSI. Fjala e parë e Konventës është mbajtur nga kryetari, Ilir Meta, duke u pasuar nga Haxhinasto, Panariti, Erisa Xhixho, Petrit Vasili dhe Dritan Prifti. Të gjithë mbështetën bashkëpunimin PD-LSI. Në fjalën e tij deputeti i rikonfirmuar në Fier, Dritan Prifti, i pari që vendosi të japë mandatin e tij për qeverinë e Partisë Demokratike, ka hedhur akuza të ashpra ndaj kandidatit të socialistëve në këtë qark, Gramoz Ruçit. Sipas Priftit, “Ruçi provoi që me 5 milionë euro të blinte votat e LSI në Fier, ndërsa në fshatrat e Lushnjës dhe në qytet kanë tentuar të blejnë me nga 100 mijë euro në dorë krerët lokale të LSI, por nuk kanë arritur”.

Këto kanë qenë ndër fjalitë e fundit të Priftit, kur sinjali i transmetimit direkt me regjinë qendrore të LSI është ndërprerë. Dy fjalimet e kundërshtarëve të marrëveshjes, nuk janë dëgjuar.

Konventa më pas ka miratuar vendimin për nisjen e negociatave dhe ka mandatuar Metën për këtë çështje.

Meta: PS do jetë një opozitë e fuqishme, në një qeveri e qëndrueshme

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha në Konventën e jashtëzakonshme të kësaj partie se nuk mund të kishte bashkëpunim me Ramën dhe Partinë Socialiste.

“Sipas gjykimit tim, por dhe shumë kolegëve të tjerë, por jo i të gjithëve, dy janë rrugët kryesore, përmes të cilave duhet të ecë kjo Lëvizje pas kësaj Konvente. E para, rruga e nisur, pasi ju e dini shumë mirë që çdo marrëveshje PS-LSI pas zgjedhjeve të 28 qershorit sjell vetëm krizë në Shqipëri, sjell mungesë qeverisje, sjell mungesë stabiliteti, dhe nuk e teproj po të them, që sjell destabilitet. Ne e dimë shumë mirë se çfarë përpjekjesh kemi bërë që të rivendosej bashkëpunimi i ndërprerë nga Edi Rama, pasi fitoi mandatin e tretë të bashkisë, në mënyrë që të mos humbte asnjë votë nga forcat e majta progresiste”, - tha Meta.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje.

“Çfarë mund të bëjmë tjetër? Të provokojmë patjetër zgjedhje të parakohshme. Të shkojmë brenda dy muajve në zgjedhje sërish pa komisionar, pa numërues? Apo të dalim me Edi Ramën kundër Sali Berishës për të krijuar tension në vend, dhe në fund fare Edi Rama të ulet me Sali Berishën duke i vënë të vetmin kusht që Ilir Meta nuk duhet të ketë komisionar, sepse do që të zhdukë LSI?

Ja pra, interesave të këtij mafiozi nuk mund t’i shërbejë Ilir Meta, dhe nuk e lidh asgjë më me të, dhe e bëjmë të qartë se vetëm largimi i tij nga jeta politike mund të vendosë marrëdhëniet personale dhe shoqërore, ndaj asaj masakre që organizoi kundër votës suaj dhe votës së LSI”, - tha Meta.

Ai deklaroi se PS do jetë një opozitë e fuqishme me aq shumë numra sa ka.

“Pse qenka e moralshme, kur bënë bashkëpunim PS me PD, në kurriz të Kushtetutës, në kurriz të demokracisë dhe në kurriz të LSI? Dhe pse nuk qenka dhe mund të jetë e moralshme, kur bëjmë një marrëveshje të hapur dhe transparente me PD për të stabilizuar vendin dhe për të realizuar kërkesën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian?

Ndaj përpjekjeve për të na kthyer dhe të bëhemi një faktor krize, ne besoj se do iu përgjigjemi me gjithë këtë emancipim që ka sjellë kjo forcë e re politike në Shqipëri, që nga krijimi i saj. Është një forcë që gjithmonë ka sjellë risi, që i ka shërbyer demokracisë, që i ka shërbyer zhvillimit të vendit. Dhe jam i bindur që jemi në prag të një risie të jashtëzakonshme dhe të veçantë. Në fund të fundit nuk jemi ne hartuesit e këtij Kodi, sepse në çdo rast ky Kod imponon koalicione. Dhe përveç produktit elektoral të këtij Kodi, koalicioni më i mundshëm për të krijuar një mazhorancë stabilizuese në vend, është pikërisht koalicioni PD-LSI, sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme, por garanton dhe një opozitë të fuqishme si ajo e PS. Një koalicion tjetër PS-PD, patjetër do ta asfiksonte opozitën, sepse do ta bënte jofunksionale me katër mandate deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë, dhe patjetër do të humbiste të gjitha balancat e një sistemi qeverisës”, - tha Meta.

Vendim i Konventës Kombëtare të Jashtëzakonshme të LSI

Duke vlerësuar me përgjegjësi të lartë politike rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nevojën për të krijuar një qeverisje me bazë të gjerë që t’u shërbejë gjithë shqiptarëve;

Me bindjen se, situata ekonomike dhe politike në vend kërkon evitimin e krizave politike apo të zgjedhjeve të reja të parakohshme;

Me mirëkuptimin e përbashkët për t’u angazhuar dhe realizuar një proces reformimi real të sistemit tonë institucional dhe zgjedhor për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës;

Me përgjegjësinë e realizimit të detyrimeve kombëtare për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, dhe veçanërisht realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve;

Për të ndikuar pozitivisht në zbutjen e polarizimit ekstrem social si rezultat i politikës konfliktuale;

Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim,

Vendosi:

Të miratojë pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009.

Të mandatojë kryetarin e LSI, z. Ilir Meta, të negociojë me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, për krijimin e koalicionit qeverisës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›