E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Mancester-Sëlltik, Ronaldo, ndoshta në stol

Nga Altin Latifi
Trajneri i Mancester Junajtid Aleks Ferguson do të lërë në stol Kristiano Ronaldon në ndeshjen e sotme ndaj Sëlltikut. Tekniku i Djajve deklaroi se portugezi nuk mund të luajë ende dy ndeshje në 4 ditë. Mancesteri favorizohet edhe nga historia në takimin e sotëm, pasi nuk njeh humbje në 16 ndeshjet e fundit në shtëpi. 

Sëlltiku do të jetë një test i vështirë për kampionët e Mançester Junajtid, pavarësisht formës së keqe të tyre në transfertë. Është ky mendimi i Aleks Ferguson, teknikut të Djajve të Kuq, në prag të sfidës që do të luhet sot në mbrëmje në “Old Traford”. Një fitore në ndeshjen e sotme do t’i çonte me një këmbë në turin tjetër kampionët në fuqi të Evropës. Ferguson pritet të lërë në stol Kristiano Ronaldon, duke bërë të ditur se portugezin e ka parë të lodhur në ndeshjen ndaj Shqipërisë të mërkurën e kaluar. Ferguson tha se kishte folur me trajnerin e Portugalisë Keiroz, sipas të cilit, Ronaldo nuk mund të luajë ende dy ndeshje në 4 ditë dhe kjo u p;a edhe në Bragë. Në vend të tij pritet të luajë nga minuta e parë Nani. Mançesteri ka një rekord prej 16 ndeshjesh pa humbje në shtëpi, ndërsa Sëlltiku ka humbur 17 nga 18 ndeshjet e fundit në transfertë. “Nuk duhet të futemi në lojë me mendimin se ne kemi një rekord të mirë në shtëpi dhe Sëlltiku një rekord të keq jashtë”, deklaroi Ferguson në prag të takimit të sotëm. “Këto rekorde harrohen në ndeshje të tilla, ku ndeshen një ekip anglez dhe një skocez. Disa nga lojtarët e mi nuk e kuptojnë këtë, pasi janë portugezë, brazilianë, argjentinas dhe francezë. Ata nuk e kuptojnë në të njëjtën mënyrë si ju dhe unë se çdo të thotë kjo ndeshje. Nëse do të ishin në fushë vetëm lojtarë anglezë dhe skocezë, atëherë gjërat do të ishin ndryshe”, deklaroi Ferguson. Dy vite më parë Sëlltiku shënoi i pari në “Old Traford”, por në fund Djajtë e Kuq arritën të fitonin 3-2. “Mjafton të kujtojmë atë ndeshje për të kuptuar se çfarë na pret kundër tyre. Do të jetë një betejë”, deklaroi mbrojtësi Ues Braun. Për Sëlltikun, do të mungojë sulmuesit kryesorë Jan Venegor of Heselink dhe Jorgos Samaras për ndeshjen e sotme në Old Traford.
(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›