Sër Ferguson beson te Ronaldo

Mesfushori i krahut ende nuk është rikthyer në 100 për qind të formës, por Sër Aleks Ferguson beson se ai do të fitojë trofeun e “France Football” dhe çmimin e FIFA-s, që akordohet nga votat e trajnerëve dhe kapitenëve të të gjitha përfaqësueseve botërore.
Gjithsesi, trajneri mund të vendosë ta lejë pushim në sfidën e Ligës së Kampioneve kundër Sëlltik. Kjo, pasi Ronaldo ende nuk është rikuperuar plotësisht nga ndërhyrja kirurgjikale në kavilje.
Tekniku skocez është konsultuar edhe me ish-asistentin e tij, Karlos Kueiroz, që tashmë drejton përfaqësuesen e Portugalisë për të konfirmuar formën e lojtarit.
Kristiano do t’i fitojë të dy trofetë për ‘Lojtarin e Vitit’ (Evropian dhe Botëror), për këtë jam i sigurt”, tha Ferguson.
“Nuk ka asnjë tjetër që mund ta mposhtë. Megjithatë, Karlos (Kueiroz) mendon se lojtari e ka të vështirë që të rikuperohet për ndeshjet e mesjavës, pasi më parë është aktivizuar të shtunën.
Kjo më ka bërë të reflektoj dhe ndoshta të martën (sot) kundër Sëlltikut, mund të aktivizoj Nanin nga minuta e parë”.
Më tej, trajneri i Junajted nxori edhe konkluzionet për paraqitjet e 23-vjeçarit në eliminatoret e Botërorit 2010. Duke shpjeguar situatën, drejtuesi i “Djajve të Kuq” deklaroi se paraqitja e dobët e numrit 7 në ndeshjen eliminatore kundër Shqipërisë erdhi vetëm pasi ai është ende në periudhën e rikuperimit. “Kristiano po rikthehet në nivelet e tij të zakonshme, vazhdoi trajneri.
Ai luajti në mënyrë të jashtëzakonshme të shtunën, në sfidën eliminatore me Suedinë, por kur Portugalia u përball me Shqipërinë të mërkurën, ai nuk m’u duk në gjendjen e tij më të mirë. Tregoi shenja lodhjeje dhe qëndroi në hije.
Por, kjo ndodhi për arsyen e thjeshtë se Kristiano është ende në periudhën e rikuperimit”. Në fundjavë, në sfidën kundër Uest Bromuiç, mesfushori realizoi golin numër 95 me fanellën e Mançesterit (vetëm gjatë sezonit të kaluar ai e gjeti 42 herë rrugën e rrjetës).
Ai shënoi golin e dytë, në sfidën që u mbyll me rezultatin 4-0, megjithatë festoi në mënyrë të vakët, duke bërë që disa gazeta të spekulonin se reagimi erdhi prej dëshirës së paplotësuar për t’u transferuar te Reali i Madridit. “I lexoj ato që shkruhen, përfundoi Ferguson, por ngacmimeve të tilla as që kam ndërmend t’u përgjigjem”.