E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, afati i fundit për buxhetin e Tiranës



Sot është afati i fundit ligjor për dorëzimin ose jo të buxhetit të bashkisë në zyrën e prefektit të Tiranës. Debatet për buxhetin u ashpërsuan ditët e fundit, ku kryebashkiaku Rama dhe sekretariati teknik i bashkisë deklaruan se buxheti u miratua, ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak dhe forcat politike të LSI-së dhe PD-së nuk e pranuan diçka të tillë.

Nëse drafti nuk paraqitet përpara prefektit të Tiranës, ose nëse ai nuk është i nënshkruar nga kryetari i Këshillit Bashkiak, atëherë ai quhet i pavlefshëm dhe buxheti i Tiranës do të duhet të rihidhet në votim.

Keçi: Drafti të vijë në kohë

Ndërkohë, prefekti i Tiranës, z. Ruzhdi Keçi, kishte deklaruar për “standard” se nuk do të pranojë vendimin në rast se vjen me shumë ditë vonesë. “Sipas procedurave ligjore, prefekti certifikon ligjshmërinë e një vendimi të Këshillit Bashkiak. Brenda pesë ditëve nga miratimi i një vendimi, ai duhet të vijë në zyrën time dhe nëse unë shoh se është zbatuar ligji, atëherë e miratoj”, – kishte thënë z. Keçi.

Ai deklaroi se do të certifikojë buxhetin, në rast se është i firmosur edhe nga kryetari i Këshillit Bashkiak. “Përndryshe, vendimi quhet i pavlefshëm”, – kishte thënë z. Keçi, duke shtuar se vendimi është nul edhe nëse “vjen më shumë se pesë ditë vonesë. Nëse vjen për një, dy ose maksimumi tri ditë vonesë, unë do t’i bëj vërejtje Këshillit Bashkiak, por do ta certifikoj, nëse e zbaton ligjin. Por, nëse vjen me më shumë vonesë, unë nuk mund ta pranoj”, – ishte shprehur z. Keçi.

Debati

Sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, kishte deklaruar se votimi i realizuar për buxhetin ishte i rregullt dhe se ai duhet konsideruar i miratuar në parim. “Në votim morën pjesë 53 këshilltarë dhe pro projektbuxhetit në parim votuan 29 këshilltarë. Votimi nuk mund të anulohet nga kryetari i këshillit. Dervishaj në fillim e pranoi votimin dhe më vonë e anuloi atë”, - deklaroi Gjonaj. “Procesverbali për votimin i përgatitur nga sekretaria është versioni i vetëm zyrtar që duhet të merret parasysh”, - tha ai.

Por, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, deklaroi se votimi ishte i pavlefshëm dhe se do të përsëritej. “Votimi bëhet nul. Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjet e këshillit, sepse nuk janë respektuar procedurat dhe rregullorja e këshillit”, – kishte thënë Dervishaj. “Të reflektohet për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të vijnë përsëri në këtë sallë dhe me një kulturë të ndryshme komunikimi”. Tashmë, priten veprimet e mëtejshme të Këshillit Bashkiak, nëse do ta hedhin apo jo sërish në votim buxhetin e Tiranës.

TEC-i në Durrës

Komision qytetar për ndikimin në mjedis

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka zhvilluar një takim me një komision qytetar të mbledhur me iniciativën e tij për të diskutuar më gjerësisht rreth ndikimit mjedisor të TEC-it të Porto-Romanos në qytetin e Durrësit. Në këtë takim merrnin pjesë personalitete të shquara të fushave të ndryshme të qytetit të Durrësit që kanë dhënë kontribute të vazhdueshme në fushat e mjekësisë, biznesit, inxhinierisë, ambientit etj. Në këtë takim që ka zgjatur rreth 3 orë është diskutuar në lidhje me TEC-in që është parashikuar të ndërtohet në Porto-Romano nga “Enel”. Kreu i bashkisë, Vangjush Dako, deklaroi se diskutimet e gjera me publikun që ka organizuar dhe do të vazhdojë të organizojë bashkia kanë si qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në vendimet që duhet të merren për qytetin, për qytetarët dhe fëmijët e tyre që janë e ardhmja e Durrësit. Pjesëtarët e komisionit qytetar kanë diskutuar në lidhje me ndikimet mjedisore të TEC-it dhe mendimet kanë qenë nga më të ndryshmet, ku ka pasur rezerva ndaj TEC-it dhe mënyrës së paraqitjes së tij nga “Enel”. Gjithsesi, pjesëmarrësit në tryezë kanë përkrahur idenë që duhet kryer patjetër një ekspertizë mjedisore nga një institucion ndërkombëtar që të tregojë në mënyrë realiste ndikimin në mjedis të këtij TEC-i. Me një konsensus të plotë, komisioni qytetar dhe kryebashkiaku Vangjush Dako kanë rënë dakord për krijimin e një sekretarie teknike të përbërë nga 5 vetë dhe të kryesuar nga nënkryetari i bashkisë, Adrian Çela dhe që do të ketë në përbërje ekspertë ligjorë dhe të mjedisit. Kjo sekretari teknike do të mbajë lidhje të ngushta dhe do të zhvillojë takime të shumta me komisionin qytetar, që do të jetë tashmë në rolin konsultativ në lidhje me problemin e TEC-it të Porto-Romanos. Pasi të realizohen të gjitha këto hapa dhe të realizohen të tria objektivat që u përcaktuan në këtë mbledhje, atëherë edhe qytetarët e Durrësit të përfaqësuar nga bashkia do të thonë fjalën e tyre përfundimtare në lidhje me TEC-in e Porto-Romanos.

Artur Ajazi

MASH

Rama përdor gjuhën e vitit 1945

Partia Socialiste i është kundërpërgjigjur dje deklaratave të kryesocialistit Edi Rama në lidhje me problemet e sistemit arsimor në vend. “Z. Rama foli dje në Vlorë për barazinë e fëmijëve në fshat e qytete dhe premtoi se asnjë fëmijë nuk do mbetet pa abetare e mësues, duke kujtuar epokën migjeniane. MASH shpreh keqardhjen që kryetari i opozitës flet sot me gjuhën e vitit 1945”, – thuhet në deklaratën e ministrisë. Sipas saj, kryetari i opozitës duhet ta kishte kuptuar se nuk është abetarja e mësuesi shqetësim për fëmijët e sotshëm në Shqipëri, të cilët kanë jo një, por 3 variante abetaresh në duart e tyre edhe në fshatrat më të largët të Shqipërisë. “Z. Rama duhet ta dinte se qeveria ka dhënë 415 milionë lekë vitin e kaluar për librat e nxënësve, pra sa 2-fishi i 2005, që edhe ai fond për subvencionin zhdukej në tregun e zi. Kryetari i opozitës duhet ta dinte se vetëm këto dy vite u shpërndanë 2 milionë USD për pasurimin me libra jashtëshkollorë për bibliotekat në shkolla, në krahasim me 0 lekë fonde të ish-qeverisë socialiste”, – bën të ditur MASH.

Sipas ministrisë, shkolla migjeniane i përket historisë së tejshkuar të Shqipërisë ndërsa shkolla e sotme shqiptare është në epokën e e-school, shkollat elektronike, si në qytet edhe në fshat. “MASH ka shpallur publikisht para një jave fituesin e vendosjes së internetit në 2000 shkolla të Shqipërisë edhe në fshatrat e largëta. MASH shpreh keqardhjen që z. Rama nuk ecën dot me hapin e historisë”, – thuhet në deklaratën e ministrisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›