AVA përgatit rregulloren e re për Maturën Shtetërore
Hartimi i rregullores së re të Maturës Shtetërore për maturantët e sivjetshëm ka përfunduar dje, ndërsa pritet që të firmoset nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, gjatë javës së ardhshme. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), Edmond Lulja, bëri të ditur se rregullorja e Maturës Shtetërore ka pësuar disa ndryshime krahasuar me një vit më parë, duke e bërë procesin më komod për maturantët.
Kjo rregullore parashikon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga maturantët dhe afatet e përgatitjes së udhëzuesit të formularit A1, ku paraqiten të dhënat e kandidatit për student dhe kërkesa e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje. Shtimi i lëndëve me zgjedhje do të jetë një nga risitë e rregullores së re. Matura Shtetërore, e vlefshme për këtë vit shkollor, detajon të gjitha të drejtat dhe detyrimet e maturantëve, procedurat që duhet të ndjekin administratorët e provimeve dhe sanksionet ndaj maturantëve nëse abuzojnë në testim. Gjatë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore nuk do të lejohet mbajtja e telefonit celular, ndërrimi i vendeve të përcaktuara nga administratori, komunikimi, largimi nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit, etj. Ndërkohë që zbatimi i këtyre rregullave mbikëqyret nga administratorët e provimeve. Sistemi i Maturës Shtetërore, i krijuar katër vite më parë, konsiston në reformimin e arsimit të mesëm dhe në mirëorganizimin e pranimeve në universitete.
Email This Klikime: 26
Email This Klikime: 26