E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia 300 milionë euro, 7 banka të interesuara të financojnë qeverinë



Ministria e Financave njoftoi dje se shtatë banka dhe institucione të huaja ndërkombëtare, janë shprehur të gatshme të financojnë qeverinë shqiptare me një kredi prej 300 milionë eurosh. Në njoftimin zyrtar thuhet se këto shtatë banka kanë paraqitur tashmë ofertat e tyre për të financuar këtë kredi, e cila do të përdoret për investime publike. Në këtë fazë janë paraqitur 7 oferta nga institucione financiare ndërkombëtare me shumë reputacion në tregun financiar botëror të tilla si: “Raiffeissen”, “Deutche Bank”, “Alpha Bank”, “J.P. Morgan”, “Citigroup”, “Credit Suisse” dhe “BNP Paribas”. Në njoftimin zyrtar thuhet se në ditët që vijnë, Ministria e Financave do të bëjë vlerësimin e ofertave për të shpallur fituesit. “Suksesi i arritur në këtë dalje në tregun financiar botëror, dëshmon për vlerësimin pozitiv dhe besimin që ka ekonomia shqiptare në tregjet financiare botërore, duke marrë në konsideratë faktin se këto tregje janë përfshirë tashmë në një krizë të rëndë”, - thuhet në këtë njoftim të Ministrisë së Financave. Kredia prej 300 milionë eurosh do të përdoret për investime në infrastrukturën rrugore, kryesisht në rrugën Durrës-Kukës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›