E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot hyn në fuqi heqja e vizave, Mali i Zi nis festën

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i qytetarëve të Malit të Zi, të cilët që nga dita e sotme mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian pa viza. Në Podgoricë ka nisur festa për një zhvillim që quhet historik dhe një rënie të barrierave kufitare. Vetëm hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian ka shkaktuar një "boom" uljesh të mëdha çmimesh për udhëtime dhe oferta turistike për malazezët. Këtë e ka bërë të ditur dje për "Shqip" nga Podgorica, një diplomat malazez, i cili theksoi se qeveria e vendit të tij është organizuar për të hyrë me një tjetër regjim pune që prej datës së sotme, 19 nëntor. Kjo, sepse nga aeroportet e Podgoricës dhe të Tivarit, që prej sot kontrolli për qytetarët e vendeve të treta do të jetë edhe më i fortë dhe i hollësishëm. Në këtë kategori hyn edhe Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina, të cilët nuk përfituan nga vendimi i BE-së. Zyrtarë malazezë e kanë shpjeguar këtë qëndrim me një kërkesë të Brukselit, që territori i këtij vendi të mos kthehet në një vend transit i emigracionit klandestin. Por, diplomati malazez tha për "Shqip" se ky regjim i ri nuk do të ketë reperkusione për qarkullimin e qytetarëve shqiptarë në Malin e Zi. E reja e këtij regjimi është se regjistrimi i personave që kalojnë kufirin do të jetë më i hollësishëm dhe të gjitha të dhënat do të kalojnë në serverin zinxhir të kufirit të Europolit apo edhe agjencive të tjera të Bashkimit Europian. Ndërkaq, një zyrtar i Ministrisë së Turizmit të Malit të Zi thekson se heqja e vizave ka shkaktuar një ndryshim të madh të tendencës së festimit të ditëve të shënuara të fundvitit për qytetarët e Malit të Zi. Kështu, një pjesë e mirë banorësh nuk do t‘i kalojnë netët e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në resortet mjaft të mira malazeze, por kanë prenotuar në lokacionet europiane të kryeqyteteve të famshme si Parisi, Londra apo Praga. Kjo për arsye sepse këto festa janë edhe një rast festimi i këtij vendimi të rëndësishëm. "Derisa Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian na bëri këtë dhuratë që të përfitojmë para festave të fundvitit, është normale të ndodhë ky fenomen", thotë Jellena Mijetoviç, zyrtare e organizatës së operatorëve të turizmit të Malit të Zi. Që prej ditës së sotme, qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë mund të kalojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian, por ky vendim nuk i fut këto vende definitivisht në listën e shteteve Shengen, por në "listën e bardhë Shengen", që do të thotë, nga këto tri shtete të ish-Jugosllavisë nuk do të mund të kalohet në vendet e BE-së, thjesht se mund të hysh me vizë apo thjesht me pasaportë në kufirin e këtyre vendeve. Shqipëria kishte të gjitha gjasat të përfitonte nga ky favorizim, por vendi ynë u vu në një rang me Bosnjën dhe provimi është shtyrë për në mesin e vitit të ardhshëm. Deri më 31 mars të vitit 2010, qeveria shqiptare duhet të zbatojë kushtet e vëna nga Brukseli. Në fakt, Mali i Zi e ka përfituar heqjen e vizave jo thjesht nga një vullnet politik i krerëve të Europës, por siç duket ka qenë përpilimi i saktë dhe në kohë i "detyrave të shtëpisë". Sipas të dhënave zyrtare 1/3 e qytetarëve të Malit të Zi janë pajisur me pasaporta biometrike, kurse numri i qytetarëve të Shqipërisë është mjaft i ulët.
Ndërkaq, në Shkup dje është organizuar një festë madhështore në pritje të orëve të fundit të heqjes së vizave nga Bashkimi Europian. Hapësira europiane e Shengenit me 500 milionë banorë dhe territor prej 4.3 milionë kilometra katrorë u bë e afrueshme për udhëtim për qytetarët e tri shteteve ballkanike pa viza. Me vendimin që e miratoi Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së në fund të nëntorit, qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë lirohen nga nxjerrja e vizave për qëndrim në afat të shkurtër prej 90 ditësh, në afat prej gjashtë muajsh, gjegjësisht deri 180 ditë në afat prej një viti. Pa viza do të mund të udhëtojnë vetëm personat që posedojnë pasaportë biometrike. Qytetarët me pasaporta të vjetra do të vazhdojnë kushtet për lehtësimin e regjimit të vizave dhe gjegjësisht do të duhet të nxjerrin vizë Shengen. Liberalizimi i vizave, banorëve të tre shteteve do t‘u mundësojë udhëtim në 25 vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Britanisë së Madhe e Irlandës dhe tri vendeve të tjera europiane, Norvegjisë, Zvicrës dhe Islandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›