Të ringjallurit
Kur e nxorën nga një pellg me ujë të ftohtë, ku kishte rënë ndërsa bënte ski me dy miq, Anna Bagenholm ishte e vdekur klinikisht prej një ore. Doktorët që do ta shoqëronin me ambulancë për në spitalin e Tromsos, i cili ndodhet në veri të Norvegjisë, e kuptuan menjëherë se situata ishte e rëndë sapo e nxorën nga uji i ftohtë gruan. Anna nuk merrte më frymë, rrahjet e pulsit i kishin ndaluar, bebet e syve i ishin zmadhuar, ndërsa temperatura e trupi ishte 13,7 gradë. Duke parë situatën në të cilën ndodheshin, mjekët vendosën të mos ia ngrohnin trupin, siç bëjnë në shumë raste të tjera, por ta transportonin ashtu të ngrirë në spital.
Të mësuar me rastet e hipotermisë, doktorët e dinin se i ftohti që mund t‘i kishte marrë jetën, ishte në favor të saj, duke zvogëluar nevojën për oksigjen në tru, pasi nuk kishte shumë në dispozicion nga gjaku i pacientes. Në atë moment, doktorët morën edhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm: të mos aplikonin te pacientja "metodën e kripës", që përdoret për të shmangur dehidratimin. Arsyeja? Duke u përballur me episode të tjera gjatë ngrohjes, doktorët kishin kuptuar se lëngjet nuk bënin gjë tjetër veçse rrisnin presionin tek indet e dëmtuara dhe kështu kishin vendosur të mos i zbatonin rregullat, duke e lënë temperaturën të ngrihej gradualisht vetë. Fatmirësisht zemra e Anna-s filloi të rrihte sërish pas tri orësh. Në fakt gjërat nuk ishin kaq të thjeshta. Gjaku i pacientes duhet të merrte oksigjen për pesë ditë, në mënyrë artificiale dhe ajo mbeti e paralizuar për gjashtë muaj. Tani Anna është doktoreshë në spitalin ku shpëtoi dhe historia e ringjalljes së saj është vetëm njëra nga ato të treguara në romanin "Cheating Death" (Të gënjesh vdekjen: doktorët dhe mrekullitë mjekësore që shpëtojnë jetë kur gjithçka duket se i ka ardhur fundi), i cili është publikuar në Amerikë. Autori, Sanjay Gupta, mjek korrespondent i CNN-it, thotë se të rikthehesh në jetë pas vdekjes, është më normale nga ç‘duket.
"E rrahura e fundit e zemrës është vetëm fillimi i një procesi, por fundi i jetës, falë teknologjisë së zhvilluar, sa vjen e bëhet një proces i kthyeshëm", thekson Gupta, që është edhe një neurokirurg. "Të tjerët na kanë mësuar se ekziston një vijë e hollë mes jetës dhe vdekjes, por nuk është e vërtetë. Ndryshe nga çmendohet, njerëzit luftojnë me jetën e vdekjen në zonën gri, nga ku kthehen shumë prej tyre pastaj".
Doktor Becker shpjegon se arresti kardiak përbëhet nga tri faza: elektrik, qarkullues dhe metabolik. E para zgjat rreth 4 minuta: zemra vazhdon të rrahë, edhe pse nuk pompon më gjak me një ritëm konstant. Gjatë fazës qarkulluese, që zgjat nga 4-6 minuta, konsumohet i gjithë oksigjeni i pranishëm në gjak dhe zemra nuk mund të prodhojë më energji elektrike. Mungesa e oksigjenit i detyron qelizat të vrapojnë drejt burimeve të tjera të energjisë, pastaj zemra kalon në fazën metabolike dhe dalëngadalë trupi shkon drejt vdekjes.
Për çdo minutë pa oksigjen, mundësitë për t‘u rikthyer në jetë ulen në 10 për qind: nëse nuk marrim menjëherë ndihmë, mundësitë ulen në 2 për qind. Për vite të tëra infermierët e ndihmës së shpejtë mësojnë të shtypin gjoksin dhe të bëjnë frymëmarrje artificiale gojë më gojë. Nga studimet e shumta është vënë re se në minutat e para pas infarktit, gjaku është ende i pasur me oksigjen dhe më e rëndësishmja në atë moment është që ai të shpërndahet në të gjithë trupin, duke shtypur fort kafazin e kraharorit (200 herë në dy minuta). Shtypja e kraharorit nuk e riaktivizon zemrën, e cila nuk ka nevojë sepse në minutat e para vazhdon të pulsojë, por rigjen ritmin e humbur.
Probabiliteti për të mbijetuar rritet edhe më shumë nëse pas shtypjes së kraharorit përdoret një lloj hipotermie terapeutike, i ngjashëm me procesin e ftohjes natyrore. "Është njësoj si të shtypim butonin ‘pause‘ kur jemi duke regjistruar diçka: duke u ulur temperatura e trupit, funksionet metabolike rrallohen, nevoja e zemrës dhe e trurit për oksigjen ndryshon dhe kështu fitohet kohë", thotë Becker.
Çdo gradë e ftohjes sjell një ngadalësim të metabolizmit nga 5-7 për qind, duke penguar proceset kimike që çojnë drejt vdekjes qelizat në fazën e tretë të infarktit. Ndonjëherë në rastet e vdekjes cerebrale, ftohja i jep kohë trurit të vetëriparohet. Edhe në këto raste mjekët e ndihmës së shpejtë përdorin teknika për të ulur dalëngadalë temperaturën e trupit. Rastet e personave të ringjallur janë të shumta. Për shembull një 68-vjeçar u rikthye në jetë pasi kishte vdekur, duke bërë ushtrime në palestër. Një tjetër 59-vjeçare ishte ringjallur pasi zemra i kishte pushuar, ndërsa i jepte makinës. Disa persona tregojnë eksperienca të jetuara në kufirin mes jetës dhe vdekjes: thonë se e kanë braktisur trupin dhe i kanë parë nga lart shpëtimtarët. Tregimet ngjasojnë me njëra-tjetrën dhe për pjesën më të madhe të studiuesve bëhet fjalë për halucinacione të cilat shfaqen nga mungesa e oksigjenit (reduktimi i fushës vizive mund të sjellë imagjinimin e një tuneli), ose efekti i substancave të prodhuara nga truri në momente të forta stresi fiziologjik.