Papandreu: Ose ndryshojmë, ose fundosemi
"Parulla jonë ‘ose ndryshojmë, ose fundosemi‘ është më aktuale se kurrë. Dhe sfida për të gjithë ne është të ndryshojmë, t‘i ndryshojmë të gjitha, madje edhe veten tonë", tha Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, duke paraqitur planin e masave që shtroi për dialog publik dhe që nuk synojnë thjesht nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike.
Jorgos Papandreu e shpjegoi gjendjen e vështirë ekonomike të vendit më së shumti me ato që i quajti probleme kronike, si korrupsioni dhe shpërdorimet në emër të marrëdhënieve klienteliste. "Sot, shteti ynë dhe i gjithë sektori publik janë robër të interesave të vogla e të mëdha, por edhe mentaliteteve që janë kultivuar nëpër vite", theksoi Kryeministri grek.
Zoti Papandreu kërkoi mbështetjen e të gjitha grupeve të interesit, që nga politika, biznesi, media, e sindikatat, për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen e shtetit dhe që ai e quajti si një përpjekje të madhe kombëtare.
Masat për kapërcimin e krizës
Në planin e mirëfilltë ekonomik, Kryeministri parashtroi rreth 80 masa, që si qëllim parësor kanë reduktimin gradual të deficitit buxhetor, i cili parashikohet të ulet nën 3% në fund të vitit 2012.
Masat përfshihen në planin katërvjeçar të stabilizimit ekonomik, që do t‘i paraqitet Komisionit Europian në janar të vitit të ardhshëm.
Reduktimi i deficitit buxhetor bazohet në uljen me 10% të shpenzimeve në sektorin publik dhe kufizimin e shpërdorimeve, në forcimin e mekanizmave për thithjen e kontributeve në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe në reduktimin e shpenzimeve për mbrojtjen në vitet 2011 dhe 2012.
Masa të tjera të rëndësishme janë ato për ngrirjen e pagave mbi 2000 euro në sektorin publik, tatimin në masën 90% të premiove që bankat private u japin drejtuesve të tyre, tatimi mbi të ardhurat nga shkëmbimet me kompanitë off shore.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm sipas Kryeministrit grek, është lufta kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar. Ai tha se vetëm nga kontrabanda e karburanteve brenda vendit, buxheti i shtetit humbet të ardhura me vlerë 5 miliardë euro, ndërsa paralajmëroi se lufta kundër krimit ekonomik kalon në kompetencë të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, ish-Ministria e Rendit Publik.
Roli i emigrantëve
Kryeministri grek iu referua në fjalimin e vet edhe rolit të emigrantëve si kontributorë të rëndësishëm në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Në këtë kuadër, ai paralajmëroi sanksione për punëdhënësit që nuk u paguajnë siguracionet emigrantëve.
"Nuk mundet që emigranti të ndëshkohet, duke mos iu dhënë leja e qëndrimit, për shkak se punëdhënësi i vet nuk i paguan siguracionet", tha zoti Papandreu.
Fjalimi i së hënës mbrëma i Kryeministrit Papandreu përbën fillimin e një dialogu publik për planin e masave, që do të fillojnë të zbatohen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Opozita dhe sindikatat
Ndërkaq, partia më e madhe e opozitës, Demokracia e Re, i ka cilësuar si fjalë boshe masat e shpallura nga Kryeministri.
"Në vend që zoti Papandreu të shpallë një plan të detajuar për daljen e ekonomisë greke nga kriza, ai u ezaurua në një shpallje idesh, në proklamata me karakter narrativ dhe në shprehjen e dëshirës së mirë", vuri në dukje zëdhënësi i Partisë Demokracia e Re.
Partitë e majta parlamentare paralajmëruan se nuk do të japin asnjë konsensus për atë që e cilësojnë si "sulm frontal antipopullor".
Dyshim për aftësitë kredituese
Agjencia amerikane e vlerësimit të kreditit, "Standard & Poor‘s", bëri të ditur se e ka zbritur edhe më poshtë Greqinë në klasifikimin e aftësive kredimarrëse. "Besojmë se përpjekjet e qeverisë ndeshen me vështirësi në planin e brendshëm, të cilat mund të kërkojnë përpjekje disavjeçare që të kapërcehen", arsyeton agjencia dhe vazhdon: "Zbritja në klasifikim pasqyron mendimin tonë se masat që publikuan disa ditë më parë autoritetet greke për reduktimin e deficitit të lartë buxhetor, është e pamundur që të rezultojnë në një ulje jetike të borxhit publik.
Analistët vendas vlerësojnë se vendimi i agjencisë amerikane e bën edhe më të vështirë pozitën e Greqisë, në kohën që qeveria parashikon të marrë kredi të tjera disamiliardëshe, për të përballuar problemet akute. Aktualisht, Greqia paguan interesa shumë të larta për kreditë që po merr dhe këto interesa mund të rriten edhe më shumë.
Ministria greke e Financave ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, ku thekson se vendimi i agjencisë amerikane "pasqyron mungesën e përgjithshme të kredibilitetit kundrejt Greqisë". Ministria e Financave, duke kundërshtuar në mënyrë të tërthortë kritikën për pamjaftueshmërinë e masave, thotë se efektiviteti i tyre nuk mund të vlerësohet nga dita në ditë, por në momentin e duhur. "Përgjigjja e qeverisë së sotme në këtë situatë të vështirë është e qartë, e vendosur dhe garanton rezultate të prekshme", thekson Ministria greke e Ekonomisë.
Një javë më parë, agjencia e vlerësimit "Fitch Ratings", e kishte zbritur edhe ajo Greqinë tri shkallë më poshtë në klasifikimin për aftësitë kredimarrëse.
Aktualisht, deficiti buxhetor i Greqisë përfaqëson më shumë se 12% të produktit të përgjithshëm kombëtar, ndërsa borxhi publik arrin në 300 miliardë euro.