Sot dita ndërkombëtare e romëve, aktivitet në Muzeun Historik

Kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë sot në aktivitetin e organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Aktiviteti organizohet nga Ministria e Punës dhe Ministria e Kulturës. Në Shqipëri romët kanë ardhur rreth 6 shekuj më pare nga India. Ata u vendosen në Ballkan për tu përhapur më vonë në Europë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, romët e Shqipërisë nuk u persekutuan në kampet e vdekjes, siç ndodhi në shumë vende të Evropës Lindore. Mbas luftës, shteti shqiptar ndoqi politikën e homogjenizimit të kombit shqiptar, duke e konsideruar këtë komunitet si pjesë e popullsisë shqiptare. 8 prilli është vendosur si dita ndërkombëtare e romëve pas kongresit të pare të mbajtur në 1971, ku u caktuan edhe flamuri dhe himni rom. Mesazhi i kësaj dite kudo ku romët ndodhen është "Paqe për të gjithë romët në një botë pa diskiminim, racizëm dhe luftë"