Aksidenti i Himarës, Policia: Shkak, shpejtësia
TIRANE- Policia e Shtetit ka sqaruar sot permes nje deklarate per mediat se shkak i aksidentit te Himares qe mori 13 jete dhe la 25 te plagosura ka qene shpejtesia.
“Sipas hetimeve paraprake sistemi i frenimit dhe i drejtimit të automjetit kanë qënë në rregull dhe shkaku i aksidentit është mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor duke bërë që mjeti të dalë nga rruga- tha zedhenesja e policise, Klejda Plangarica.
Deklarata e plote
Për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve që çuan në aksidentin e rëndë të datës 21.05.2012, ndodhur në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e ngjarjes, nga ekspertët janë kryer ekzaminimet e nevojshme për fiksimin e provave dhe të fakteve, në mënyrë që të arrihet në konkluzion të saktë mbi shkakun e këtij aksidenti të rëndë.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton: Segmenti rrugor ku ka ndodhur aksidenti është një rrugë e rregullt me të gjithë parametrat, i pajisur me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, si dhe me parmakët metalik anësor mbrojtës.
Në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta.
Nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, nga ku rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit. Gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës.
Nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e aksidentit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm.
Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë.
Vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje të rëndë.