Pranga zyrtares së Financave dhe sekserit, morën 15 mijë euro
Prokuroria e Shkodrës urdhëroi arrestimin e dy zyrtarë dhe një person që do të ushtronte ndikim ndaj prokurorit për pushimin e një çështje penale të nisur ndaj arkëtares së Postës në Shkodër
Tiranë Një zyrtare e Ministrisë së Financave dhe dy persona të tjerë përfunduan dje në pranga pas tentativës për të korruptuar një prokuror, me qëllim mbylljen e një procesi hetimor. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, dje është arrestuar specialistja e Ministrisë së Financave, Alketa Broci; arkëtarja e Postës në Shkodër, Rajmonda Juka; dhe shtetasi Petrit Pepkolaj. Të arrestuarit, sipas prokurorisë, po përpiqeshin të ndikonin tek një prokuror për të mbyllur një çështje hetimore të nisur nga Prokuroria e Shkodrës për arkëtaren e Postës. Në momentet e arrestimit, të dyshuarve u është sekuestruar shuma prej 15 mijë eurosh, të cilat arkëtarja Rajmonda Juka i kishte paguar te specialistja e Ministrisë së Financave për të mbyllur çështjen e saj. Hetimi për aferën korruptive ka nisur pak kohë më parë, kur Juka, me detyrë arkëtare në postën e qytetit të Shkodrës, ishte vënë në dijeni të një hetimi të nisur ndaj saj. Me qëllim mbylljen e çështjes, ajo ka kontaktuar me specialisten e Ministrisë së Financave, Alketa Broci, e cila kundrejt një shume parash kishte marrë përsipër mbylljen e procesit hetimor. Shuma prej 15 mijë euro i është dhënë më pas shtetasit Petrit Pepkolaj, i cili ka marrë përsipër ushtrimin e ndikimit te prokurori i çështjes. “Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, ka rezultuar se shtetasja Rajmonda Juka, me qëllim pushimin e çështjes në ngarkim të saj, ka komunikuar me shtetasen Alketa Broci, specialiste në Ministrinë e Financave, dhe shtetasin Petrit Pepkolaj, të cilët i kanë premtuar se, në këmbim të një shume parash, ato do të ndërhynin tek prokurori që hetonte çështjen në ngarkim të saj, me qëllim për ta pushuar atë”- thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga hetimet dhe përgjimet ka rezultuar se pasi kanë rënë dakord për mbylljen e çështjes, fillimisht arkëtarja e postës, Rajmonda Juka, i dhënë specialistes së Ministrisë së Financave shumën prej 5 mijë eurosh. “Pas disa ditësh, shtetasja Alketa i ka kërkuar shtetases Rajmonda dyfishin e shumës së dorëzuar tashmë, shumë të cilën ajo ka rënë dakord ta jepte duke ia dorëzuar shtetases Alketa Broci. Kjo e fundit, më datë 03.12.2011, në Tiranë, ka takuar shtetasin Petrit Pepkolaj, i cili ishte personi që do të realizonte ndërhyrjen te prokurori i çështjes dhe i ka dorëzuar atij shumën e parave që kishte marrë nga shtetasja Rajmonda Juka”- tha zyrtarisht prokuroria. Pikërisht në momentin e dorëzimit të parave ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar në flagrancë Petrit Pepkolaj dhe Alketa Brocin, të cilët dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në momentin e arrestimit policia ka sekuestruar edhe shumën prej 15 mijë eurosh, të cilat sapo ishin marrë nga shtetasi Petrit Pepkolaj. Këto para ia kishte dorëzuar specialistja e Ministrisë së Financave, e cila i kishte marrë nga arkëtarja e postës së Shkodrës, Rajmonda Juka. Pas arrestimit të dy personave, me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës është kryer edhe arrestimi i arkëtares së Postës së qytetit të Shkodrës, Rajmonda Juka, e cila tashmë akuzohet edhe për konsumimin e veprës penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se në këtë aferë dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët tashmë janë nën hetim.