E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot “Tirana” në Durrës për të sfiduar “Teutën”

TIRANE-Sot është java e parë e trajnerit kroat Kristiçeviç në krye të Tiranës, dhe ndeshja me Teutën do jetë sprova e parë e tij.
Tirana synon tre pikëshin ndërsa e vetmja lëvizje që ka mundur të bëj trajneri kroat është që në vend të Mukës do të ketë Muçën. Në rolin e mesfushorit difensiv, Muça do të formojë barrikadën përpara mbrojtjes. Misho, ka zgjedhur të ndërtojë një mesfushë në formë rombi. Në qendrën e majtë do të aktivizohet Karabeci, ndërsa në qendrën e djathtë, do të luaj Lila. Gilman Lika do të jetë mesfushori i organizator, i avancuar dhe në ndihmë të sulmit. Pejiç dhe Morina së bashku do të formojnë dyshen e repartit ofensivë. Në letër, ngjason shumë me skuadrën e ish-teknikut Dede, që u shkarkua befasisht nga detyra si pasojë e rezultateve të dobëta. Mbetet për t'u parë se si do të lëvizi ekipi në fushë dhe cilat do të jenë idetë e Krstiçeviç, për mënyrën e lojës. Pesë futbollistë të Tiranës nuk do të jenë në fushë me Teutën për shkak të dëmtimeve, skualifikimit e gjendjes jo të mirë fizike, e kjo mund të përbëjë një rezervë për ekipin bardhë e blu. Kapiteni Muka mungon në stërvitje prej javës së kaluar dhe me shumë mundësi nuk do të jetë në fushë kundër Teutës. Osmani dhe Sabien Lilaj janë të skualifuar për shkak të kartonëve të kuq, të marrë kundër Besës. Bala vijon të stërvitet i diferencuar si pasojë e një dëmtimi në gju, ndërkohë që Hyka prej fillimit të javës po kalon një gjendje gripale. Gjithë këto mungesa, do të ulin numrin e alternativave në pankinë për Mishon që ka përpara një test të vështirë në përballjen kundër Teutës. Ndërkaq nga java e 20 e superligës, vlen të veçohet rrënimi i Dinamos. Ekipi vazhdon serinë e rezultateve zhgënjyese, duke barazuar pa gola me Kastriotin në kryeqytet. Javën e shkuar, dinamovitët u mposhtën në Ballsh nga Bylisi i përfshirë në luftën për mbijetesë, ndërsa dy javë përpara u mundën nga Tirana në derbin e kryeqytetit.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar dje në drekë, Besa fitoi vetëm në fund të lojës me Bylisin. Rezultati ngre avajasit katër pikë larg dy vendeve të fundit në renditje, të cilat zbresin automatikisht në Kategorinë e Parë. Ndërkaq edhe Skënderbeu ka mundur në shtëpinë e vet, Laçin duke u ngritur edhe tre pikë në renditje. Përveç Tirana-Teuta, sot do të ndeshen edhe Flamurtari-Vllaznia. Edhe sikur vlonjatët të humbin, sërish ato nuk e rrezikojnë vendin e parë pasi janë në kuotën e 43 pikëve i ndjekur nga Skënderbeu me 39 pikë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›