E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në Kuvend pritet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore dhe nisja e miratimit të ligjeve me 3/5-at

17-11-2011 / Gazeta 55

Marrëveshja politike mes mazhorancës dhe opozitës, e nënshkruar në fillim të kësaj jave, pritet të prodhojë sot produktin e parë konsensual, prej më shumë se 2 vitesh bojkot dhe bllokim të parlamentit. Kuvendi në seancën e ditës së sotme pritet të miratojë projektvendimin “Për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore”, si dhe dy projektligje që lidhen me ndryshimet në kodin hekurudhor dhe kodin ajror. Marrëveshja dypalëshe PD – PS e 14 nëntorit për çështjet e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar, pritet të konkretizohet sot  në Kuvend me votën konsensuale për ngritjen e komisionit të posaçëm zgjedhor dhe disa ndryshimeve ligjore në Kodin Ajror dhe Kodin Hekurudhor, këto të fundit të miratuara më parë në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese.
Këto ligje, por edhe të tjera që do pasohen sipas kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit, mendohen të jenë produkti i parë politik konsensual mes mazhorancës dhe opozitës, pas dy vitesh bllokim të parlamentit nga kjo e fundit.
Që prej shtatorit të 2009-ës, Partia Socialiste kushtëzoi marrëdhëniet me parlamentin, duke mos marrë përgjegjësitë kushtetuese, në kuadër të miratimit të ligjeve dhe reformave. PS refuzoi obligimin moral dhe politik ndaj votuesve të saj, teksa për dy vite me radhë e nxori Shqipërinë jashtë optikës së Komisionit Evropian, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat.
Një zili personale e Edi Ramës dhe mungesë vullneti kolektivisht i ligjvënësve opozitarë, bëri që Brukseli të ashpërsojë gjuhën, ndërsa s’kurseu kritikat mbi rolin destruktiv të opozitës së Edi Ramës.
Vjeshta e këtij viti rrezikonte të ishte shëmbëlltyrë e asaj të një viti më parë, por presioni i ndërkombëtarëve për rinisjen e dialogut politik dhe tërheqja e veshit ndaj klikës opozitare, konkretizoi një marrëveshje konsensuale mes mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore dhe nisjen e punës për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Prandaj, seanca e sotme plenare merr një rëndësi të veçantë për vetë faktin e aspiratës së integrimit të vendit, pasi pikërisht disa prej pikave kyçe të kërkuara nga Brukseli, janë pjesë e axhendës së Kuvendit.
Krahas rëndësisë politike, seanca parlamentare pritet të shërbejë edhe si testim për standardin e vërtetë mbi të cilin do luajë Partia Socialiste, pas pështjellimeve dhe komplekseve të vërejtura gjatë dy ditëve të fundit në disa prej komisioneve parlamentare. Në axhendën e sotme të parlamentit, krahas këtyre pikave, pritet të shqyrtohen dhe projketligjet “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve jo-ushqimore” dhe ai “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, si dhe dy interpelanca: ajo me Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputetja e PS-së, Arta Dade dhe interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, kërkuar nga deputeti socialist Eduard Shalsi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›