“Riorganizim dhe reformim inspektorateve”
Reforma për riorganizimin e inspektorateve, më e rëndësishmja në dy muajt e ardhshëm
Kryeministri Berisha kërkoi dje, nga ministrat riorganizimin dhe reformimin e inspektorateve në varësi.
Duke trajtuar reformën e inspektorateve në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri tha se instalimi i sistemit të ri të inspektorateve, të cilat, në bazë të ligjit të ri, ulen nga 36 në 11, do të jetë reforma kryesore e qeverisë në dy muajt e ardhshëm.
Për realizimin e saj, Kryeministri kërkoi vendosjen e komunikimit të menjëhershëm mes ministrive dhe Inspektoratit Qendror, i angazhuar në zbatimin e kuadrit ligjor për realizimin e kësaj reforme.
“Kjo reformë, tha Kryeministri, është ndër më themeloret për tregun. Ndaj, në përputhje me ligjin që kemi miratuar bashkërisht, kërkoj me shpejtësi riorganizimin e të gjitha inspektorateve që parashikon ligji, ngjitur në listë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, zotërinj ministra, që ju të merreni me të gjitha inspektoratet që keni në varësi e të udhëhiqni reformimin e tyre”.
“Reforma, tha më tej Kryeministri, është ndër kryesoret për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit. Biznesi nuk do xhandarë, por do inspektorë, të cilët me veprimtarinë e tyre i krijojnë shanse të barabarta para ligjit, garantojnë lirinë ekonomike në fushën ku ai ushtrohet”.