Trashani: Gjuha e ashpër e kthen Edi Ramën dy vite pas, po kërcënon gjyqësorin për vendimet që rrëzojnë shpifjen

Akuzat e Ramës ndaj drejtësisë, reagon PD Deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani, reagoi dje ndaj sulmeve të Ramës, për sistemin e drejtësisë, duke theksuar se “përdorimi i gjuhës së ashpër nga ana e kryetarit të PS-së, është përpjekja për të kërcënuar gjyqësorin”. “Akuzat e ashpra nuk janë frytdhënëse në kuadër të bashkëpunimit midis pozitës dhe opozitës. Të sulmosh një institucion të pavarur nuk kontribuon aspak në një debat të mirëfilltë dhe nuk bën asgjë për progresin e Shqipërisë”, u shpreh deputetja demokrate. Sipas saj, gjuha e ashpër nuk vë në lëvizje atë për të cilën është rënë dakord që të kthejmë pas kohën e humbur prej dy vitesh në Shqipëri, kur shqiptarët pritën përfundimin e këtij bllokimi. “Të gjithë politikanët kanë përgjegjësi për respektimin e shtetit ligjor dhe respektimin e vendimeve të gjykatave. Ata duhet të japin shembullin e tyre në marrëdhënien me gjyqësorin, qytetarët e meritojnë një gjë të tillë dhe bashkësia ndërkombëtare pret pikërisht këtë”, tha Trashani. Sipas saj, standardet evropiane, na mësojmë se në vend që të akuzojmë gjyqtarët më mirë të pranojmë vendimin e gjykatës. “Standardet europiane na diktojnë se në vend që të fajësojmë institucionet kur ata gjobisin, është më mirë që të ndërpriten veprat dhe shpifjet për të cilat janë gjobitur. Standardet europiane na diktojnë se në vend që të akuzojmë gjyqtarët, më mirë të pranojmë vendimin e gjykatës. Të gjithë politikanët kanë përgjegjësi për respektimin e shtetit ligjor dhe respektimin e vendimeve të gjykatave. Të gjithë politikanët duhet të japin shembullin e tyre në marrëdhënien me gjyqësorin - qytetarët e meritojnë një gjë të tillë dhe bashkësia ndërkombëtare pret pikërisht këtë. As më pak e as më shumë. Halli i Edi Rama nuk është dënimi i atyre deputetëve që nga përfaqësues i ka kthyer zyrtarisht në shpifës përsëritës, por frika e rrëzimit të shpifjeve”, tha Trashani. Ajo konkludoi deklaratën për shtyp, duke i kujtuar Partinë Socialiste, se mazhoranca ka qenë gjithnjë e gatshme për reformën në gjyqësor, por bojkoti dhe bllokimi i parlamentit bllokuan nismat ligjore. “Partia Demokratike ka kërkuar fuqimisht reformën në gjyqësor për më shumë se dy vjet dhe ne e mirëpritëm faktin kur Edi Rama garantoi mbështetjen e tij për këtë përpjekje. Shpresojmë që ligjet e pakundërshtueshme të cilat janë të bllokuara për dy vjet, duke mos paraqitur asnjë kundërshtim thelbësor, do të miratohen shpejt dhe se po në kuadër të këtij bashkëpunimi të punojmë së bashku për ta bërë sistemin e drejtësisë në Shqipëri më të drejtë, më efikas dhe më të mirë për t’i shërbyer interesave të qytetarëve”. Kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist i vlerësoi si të njëanshme vendimet e gjykatave, të cilat kanë dënuar me gjoba deputetët e PS-së, të paditur nga deputetët e Partisë Demokratike. Mbi 10 deputetë të Partisë Socialiste janë me letra të hapura në gjykata, për shpifje dhe akuza denigruese ndaj kolegëve të mazhorancës. Krahas sulmit që i bën sistemit gjyqësor dhe vetë gjyqtarëve, Rama s’pranon të edukojë dhe normalizojë arbitraritetin e shpifjeve dhe fyerjeve të deputetëve të tij, të cilët janë bërë gazi i botës duke u gjobitur me shuma të majme që shkojnë deri në 3.5 milionë lekë të reja.
...