E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha uron homologët e rinj të Italisë dhe Greqisë

17-11-2011 / Gazeta 55

Me rastin e marrjes së detyrës së re nga Mario Monti dhe Lukas Papademos

Kryeministri Sali Berisha, në një telegram urimi drejtuar Mario Monti, me rastin e përzgjedhjes së tij për pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Italisë, përcjell në emrin e tij dhe të qeverisë shqiptare, “përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për formimin e qeverisë dhe sukses të plotë në detyrat e vështira, por jashtëzakonisht të rëndësishme përpara Jush”.
“Kam ndjekur me kënaqësi e admirim karrierën Tuaj profesionale dhe atë politike, ndaj ruaj bindjen e thellë se me përkushtimin, profesionalizmin, vizionin e urtësinë që Ju karakterizon do të sillni një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin me sukses të situatës së krijuar si pasojë e kushteve jo të favorshme financiare në arenën europiane dhe në rikthimin e vendit Tuaj të madh, mik e aleat i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm”, shkruan Kryeministri Berisha në këtë telegram urimi.
Në të njëjtën kohë Kryeministri Berisha siguron Monti se, “qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur e të angazhuar për të zhvilluar edhe më tej traditën e shkëlqyer të marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin në fushat dy e shumëpalëshe, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit europian, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë miq”.
Po dje, kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram urimi edhe kryeministrit të ri të Greqisë, Lukas Papadhimos, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë. Berisha vlerëson se ardhja e Papadhimos në krye të qeverisë greke, do jetë një kontribut i rëndësishëm në kapërcimin e krizës ekonomike të vendit fqinj.
“Kam ndjekur me vëmendje përkushtimin, vizionin dhe vendosmërinë Tuaj profesionale, ndaj ruaj bindjen e thellë se përzgjedhja Juaj në krye të qeverisë, në këtë situatë delikate financiare për vendin Tuaj, do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin e saj dhe në ecjen përpara me reformat e nevojshme për ta kthyer Greqinë në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm. Gjej rastin t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur dhe të angazhuar për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet e mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të zgjeruar e forcuar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë”, shprehet kryeministri Berisha në telegramin e urimit, drejtuar kryeministrit të ri të Greqisë, Lukas Papadhimos.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›