E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në Lundër digjen fletët e votimit

07/01/2011  Subashi: Ky proces do të quhet i pavlefshëm, nëse firma ime do të mungojë

Kreu i KQZ-së, keqardhje për mosgjetjen e konsensusit politik

Nis sot zbatimi i vendimit të 29 dhjetorit të marrë nga KQZ-ja për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të kaluara elektorale. Në Lundër të Tiranës, pikërisht në vendin ku dhe janë ruajtur prej më shumë se një viti e gjysmë kutitë e votimit të zgjedhjeve të kaluara elektorale, të mbajtura më 28 qershor të 2009-s, në orën tetë të mëngjesit do të fillojë procesi i djegies dhe i seleksionimit të materialeve zgjedhore, një proces ky i parashikuar të mbarojë më 5 mars. Në bisedën e zhvilluar me zëdhënësin e KQZ-së, Arti Lushi theksoi se forcave politike iu dha koha e mjaftueshme që të gjenin një kompromis mes palëve mbi hetimin e shumëkërkuar nga opozita, por ato nuk gjetën dot mirëkuptimin. Duke qenë se tashmë afatet për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore janë ngushtuar mjaft, pastrimi i kutive të votimit dhe organizimi i zgjedhjeve të 8 majit është një detyrim ligjor nga ana e KQZ-së. Gjithashtu, KQZ-ja nga ana e saj u kërkon partive politike që të bashkëpunojnë ngushtë me KQZ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 majit. “Konflikti politik lidhur me kutitë e votimit na detyroi t’i shtyjmë disa nga fazat e përgatitjeve, dhe e kemi goxha të ngjeshur kohën si pasojë e këtij konflikti”, theksoi në një prononcim për mediat kryetari i KQZ, Arben Ristani, i cili shtoi se kjo është procedurë rutinë, që bëhet pas çdo procesi, por këtë herë mori vëmendjen e madhe të opinionit publik për shkak të situatës politike. “Grupet e punës që janë ngritur tashmë do të fillojnë nesër me hapjen e kutive, seleksionimin e materialeve, të cilat do të shkojnë në Arkivin e Shtetit. Ato futen nëpër dosje, bëhen gati. Do të ketë edhe specialistë nga arkivi, të cilët do udhëzojnë se si do ta pranojnë materialin në Arkivin e Shtetit dhe pjesa tjetër do të shkojë për t’u asgjësuar”, tha Ristani. Procesi i djegies së fletëve të votimit dhe dërgimit të materialeve zgjedhore në arkivin qendror ishte procedura që për më se një vit e gjysmë mban politikën në krizë, një krizë, ku me procesin që nis sot, zgjidhja e ngërçit politik duket akoma më e largët.

Buxheti

Mbasi u mor vendimi për pastrimin e kutive të votimit, tashmë një hallkë tjetër për organizimin e infrastrukturës së zgjedhjeve të ardhshme nga KQZ-ja është miratimi i buxhetit për garën e ardhshme politike. Edhe pse akoma zyrtar, para pak ditësh kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bëri të ditur dhe shifrën që qeveria do të vërë në dispozicion të KQZ-së për zgjedhjet e ardhshme vendore, që do të zhvillohen më 8 maj. Fatura e zgjedhjeve lokale, ende jozyrtare, sipas Ristanit do të jetë rreth 750 milionë lekë, që do t’i kërkohen qeverisë për të zhvilluar garën e ardhshme elektorale për kryetarë bashkish dhe komunash. “Nuk e kemi mbyllur dot projektbuxhetin, pasi prisnim pikërisht këtë vendimmarrje, sepse do të varionte buxheti nëse do të detyroheshim të blinim kuti të reja apo materialet që janë brenda kutive duhen llogaritur nëse do të riciklohen apo jo. Megjithatë, një shifër të përafërt mund ta kemi, besoj diku tek 700-750 milionë lekë”, tha Ristani. Me daljen e buxhetit do të fillojnë tenderimet për të krijuar infrastrukturën e zgjedhjeve dhe ngritja e komisioneve, sipas afateve që ka përcaktuar një mbledhje e mëparshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Reagimet

Për nënkryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimi për hapjen e kutive të dokumentacionit zgjedhor është i nxituar, politik dhe i kamufluar teknikisht. Sipas Subashit, asgjë nuk e nxitonte KQZ-në të merrte vendime të tilla. Pavarësisht kësaj, Subashi deklaroi dje se bazuar në pikën 2 të nenit 20 të Kodit Zgjedhor, ky proces do të quhet i pavlefshëm, nëse firma e saj do të mungojë. Por pretendimet e Subashit janë hedhur poshtë nga kryetari i KQZ-së, Ristani, i cili i konsideron ato si reagime tërësisht politike dhe të njëanshme, si dhe të pabazuara në ligj. “Argumenti i dy anëtarëve të KQZ-së, të cilët u larguan nga mbledhja, ishte i pabazuar në ligj. Gjatë gjithë fjalës së tyre ata nuk iu referuan argumenteve ligjore, gjë që për mua është njëanshmëri politike. Po kështu, edhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste pranë KQZ-së, edhe pse kërkoi dorëheqjen time si kryetar, përsëri argumenti nuk ishte ligjor, por ishte argument politik”, tha Ristani.

Seanca e 29 dhjetorit

Në punimet e datës 29 dhjetor të KQZ-së, si rend dite ishte zbatimi i nenit 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor, ku pritej të merrej vendimi për djegien e fletëve të votimit. Seanca u zhvillua e tensionuar mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës në KQZ, gjë që solli dhe largimin e përfaqësuesve të opozitës nga mbledhja ku po zhvillonte punimet KQZ-ja, në shenjë proteste për vendimin që do merrej nga komisioni.

Ristani

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, shprehu keqardhjen e tij për mosgjetjen e konsensusit mes palëve të përfshira në këtë proces. “Kam deklaruar që fundi i fletëve të votimit do të jetë ai që përcakton ligji, pra ato do të digjen. Politika na kërkoi që ta shtynim këtë vendimmarrje, në mënyrë që t’u jepnim atyre kohë të gjenin një konsensus”, u shpreh Ristani.

Nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi:

Fletët e votimit nuk asgjësohen pa firmën time

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në një prononcim të sajin, tha dje se procesi i djegies së fletëve të votimit nuk është transparent. Vendimi i KQZ-së për këtë proces, sipas Subashit ia ka lënë vendin një urdhri që duhet të nxjerrë kryetari, duke ndryshuar sipas saj praktikën e deritanishme të këtij operacioni. Gjithashtu, nënkryetarja e institucionit më lartë zgjedhor, Subashi, theksoi se një shkelje tjetër e ligjit, që e bën vendimin e 29 dhjetorit të pavlefshëm, është edhe fakti që sipas nenit 20 të Kodit Zgjedhor, çdo vendim i kryetarit duhet të firmoset nga nënkryetari, në të kundërt vendimi është i pavlefshëm. Subashi vë theksin edhe në një tjetër çështje, që sipas saj lë të pasqaruar vendimi i datës 29 të KQZ. “Vendimmarrja e KQZ nuk e ka zgjidhur se çfarë regjimi do të ketë ruajtja e listës së votuesve. Këto dy momente të japin të kuptosh faktin që jo pa qëllim është shmangur baza ligjore për ta përdorur këtë udhëzim të KQZ”, u shpreh dje Subashi. “Kjo është ironia më e keqe e thënë në sytë e publikut, sepse vendimmarrja e KQZ thuhet se është marrë për shkak se duam ta përfundojmë shpejt këtë proces, dhe për këtë po lëmë dy muaj kohë, kur ky operacion është bërë krejt në kushte normale për një muaj kohë. Është një qëllim tjetër që fshihet pas saj. Dhe argumenti që sapo thashë të çon në këtë logjikë”, tha Subashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›