E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, derdhja e kontributeve për të dypunësuarit

07/01/2011  Përfitimet nga derdhja e sigurimeve në dy subjekte

Llogaritja në varësi të pagesave minimale dhe maksimale të konfirmuara për secilin subjekt

Derdhja e kontributeve për efekt të përfitimeve nga sigurimet shoqërore mund të realizohet edhe në rastet kur personi është i dypunësuar. Tashmë, legjislacioni shqiptar, sikundër ndodh edhe në shumë vende të tjera, e konsideron dypunësimin si një fenomen të ligjshëm, për rrjedhojë të dypunësuarit mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve duke shlyer detyrimet e derdhjes së kontributeve pranë të dy subjekteve ku klasifikohen si të punësuar. Ndërkohë që janë përcaktuar edhe kriteret e kushtet që duhet të plotësohen në këtë rast për të legjitimuar derdhjen e kontributeve në të dy subjektet. Sipas kreut të Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, e gjithë procedura realizohet sipas përcaktimeve të bëra mbi kufirin minimal dhe atë maksimal të pagës së përcaktuar për efekt të derdhjes së sigurimeve shoqërore. “Ashtu sikurse është e njohur, aktualisht paga minimale për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të vetëpunësuarit në qytet është 16,820 lekë në muaj, ndërsa paga maksimale është 84 100 lekë në muaj. Për të punësuarit paga minimale për efekt të pagesës së kontributeve është 19,000 lekë”, shprehet Balluku. Sipas tij, qeveria prej kohësh ka miratuar me vendime të posaçme përcaktimin e pagave referuese, të ndara sipas rretheve, degëve të ekonomisë dhe posteve të punës për çdo kontributpagues. Kjo do të thotë që çdo i punësuar do të paguhet me pagat reale sipas kontratës me punëdhënësin, por jo më pak se pagat referuese të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Kështu, për efekt të pagesës së kontributeve, pagesa do të bëhet me paga reale, por jo më shumë se kufiri maksimal prej 84 100 lekë dhe jo më pak se kufiri minimal i përcaktuar. Për rastet kur një person gjatë muajit është i punësuar në dy subjekte, qofshin këto persona juridikë ose fizikë, me kohë të plotë ose të pjesshme, deklarimi për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore do të bëhet sipas disa rregullave, të përcaktuara tashmë. Balluku shpjegon se në këto raste secili prej subjekteve e bën deklarimin e punonjësit në drejtorinë rajonale tatimore, njëlloj sikurse personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër. Ndërkohë që në varësi të pagesave të konfirmuara për kufirin minimal dhe atë maksimal përcaktohet edhe shuma kontributeve që do të derdhen në secilin subjekt të punësuar. Duhet pasur parasysh se të gjitha përfitimet që ofron legjislacioni i sigurimeve shoqërore, do të llogariten dhe do të paguhen duke marrë në konsideratë të dy pagesat, nga të dy punëdhënësit, ose në rastin e të vetëpunësuarve, pagesën si i vetëpunësuar dhe pagesën si punëmarrës.

Derdhja e sigurimeve kur paga mujore

është më e lartë se kufiri maksimal

Kemi rastin kur paga mujore e punonjësit të njërit nga subjektet është sa, ose më e madhe se kufiri i pagës maksimale (aktualisht 84 100 lekë në muaj), mbi të cilën llogariten kontributet, atëherë kontributet deri në pagën maksimale deklarohen dhe paguhen nga ky subjekt. Subjekti tjetër nuk deklaron kontribute, por te rreshti i emrit në listëpagesë, në kolonat e kontributeve, ky subjekt shënon “Paguar kontribute me pagë maksimale të subjekti ‘X’ me NIPT nr…”, duke dorëzuar në zyrën tatimore vërtetimin e subjektit që deklaron dhe paguan kontributet në nivelin e pagës maksimale.

Situata kur dy pagat mujore janë

më të larta se kufiri maksimal

Në rastin kur shuma e pagave mujore që punonjësi merr nga të dyja subjektet është më e madhe se niveli i pagës maksimale mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet (në këtë rast asnjë nga pagat veças që merr nga dy subjektet nuk e kalon kufirin maksimal të pagës), në këtë rast subjekti që paguan pagën më të madhe deklaron dhe paguan kontribute sipas pagës reale. Subjekti tjetër, që paguan me pagë më të ulët, deklaron dhe paguan kontribute mbi pagën mujore që rezulton si diferencë midis pagës maksimale mbi të cilën llogariten kontributet, me pagën që ka në subjektin me pagë më të lartë. Subjekti tjetër që personi merr pagë më të ulët, te rreshti i emrit në listëpagesë, në kolonat e kontributeve shënon “Paguar kontribute me pagë, te subjekti ‘X’ me nr. NIPT”, duke dorëzuar në zyrën tatimore vërtetimin e subjektit që deklaron pagën më të lartë. Për ta ilustruar këtë fakt, le të marrim një shembull. Një person është i punësuar në dy subjekte. Në subjektin “X” merr një pagë mujore prej 60,000 lekësh, ndërsa në subjektin “Y” merr një pagë mujore prej 40,000 lekësh.

Në këtë rast subjekti “X” do të paguajë kontribute për një pagë prej 60,000, ndërsa në subjektin “Y” do të paguajë me një pagë mujore prej 24,200 lekë (84 100 – 60,000).

Llogaritja kur shuma e dy pagave mujore

është më e vogël se kufiri maksimal

Nëse shuma e pagave mujore që i punësuari merr nga të dyja subjektet është sa, ose më e vogël se kufiri maksimal i pagës mujore për efekt pagese të kontributeve, atëherë secili nga të dyja subjektet në mënyrë të pavarur do të llogarisë dhe do të paguajë kontributet për pagën reale që ka i punësuari, sikur të mos jetë punësuar në subjekt tjetër. Në rastin konkret personi i dypunësuar, në subjektin “X” merr një pagë mujore prej 35,000 lekë dhe në subjektin “Y” merr një pagë mujore prej 25,000 lekë. Totali i dy pagave gjithsej është 60,000 lekë, që është nën kufirin maksimal për efekt pagese të kontributeve. Pra, të dyja subjektet do të paguajnë pagat reale me të cilat paguhet i punësuari.

Derdhja për subjektet e regjistruara

në dy drejtori të ndryshme

Kur një person është punësuar në dy subjekte, të cilat janë regjistruar në drejtori rajonale të ndryshme, secili prej dy subjekteve (person juridik ose person fizik) deklaron e paguan kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, njëlloj sikurse personi të mos ishte punësuar në një subjekt tjetër. Pra, secili prej subjekteve në mënyrë të pavarur deklaron dhe paguan kontributet në bazë të pagave reale me të cilat paguhet, brenda kufirit minimal e maksimal të pagës mbi të cilën llogariten e paguhen kontributet.

Në rastet kur kontributi në total i paguar nga i njëjti person për dy punëdhënësit është më i madh se kontributi i llogaritur për pagën maksimale, atëherë për shumën totale të kontributeve të paguara më tepër për punonjësin e punësuar në dy subjektet, drejtoria rajonale tatimore, mbi bazën e kërkesës së tij, me shkrim, bën rimbursimin e subjektit, nga i cili punonjësi ka marrë pagën më të lartë. Me të marrë rimbursimin nga drejtoria rajonale tatimore, ky subjekt bën rimbursimin e punonjësit për shumën totale të pjesës së kontributeve të punëmarrësit të paguar më tepër në të dyja subjektet, brenda 30 ditëve nga dita e njoftimit.

Procedura dhe deklarimet për të vetëpunësuarit

Kur një person fizik i vetëpunësuar është njëkohësisht dhe i punësuar në një punëdhënës tjetër, atëherë është e detyrueshme që ky person të regjistrohet në QKR dhe zyrën tatimore si i vetëpunësuar, sipas të gjithë rregullave sikur të mos ishte punëmarrës. Në këtë rast ai duhet të paguajë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe si i punësuar te një punëdhënës tjetër. Punëdhënësi tek ky person, që është edhe i punësuar, bën të gjitha veprimet njëlloj si për të gjithë punëmarrësit, sikur personi të mos ishte dhe i punësuar. Kur paga mujore e tij si punëmarrës është mbi kufirin maksimal të pagës (aktualisht 84 100 lekë në muaj), mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet, ky person si i vetëpunësuar nuk do të paguajë kontribute dhe do të deklarojë në zyrën tatimore me pagën “zero”, duke bërë shënimin përkatës “Paguar kontribute me pagë maksimale, te subjekti ‘X’ me nr. NIPT”, duke dorëzuar në organin tatimor vërtetimin e subjektit ku është i punësuar.

Kur paga mujore e të vetëpunësuarit, që është njëkohësisht dhe punëmarrës, është nën kufirin maksimal (por gjithnjë mbi kufirin minimal) të pagës mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, atëherë ai do të paguajë në atë masë që shuma e pagës si punëmarrës dhe paga si i vetëpunësuar të mos kalojë kufirin maksimal të pagës mbi të cilën llogariten kontributet. Në këtë rast te rreshti i emrit në listëpagesë, në kolonën e kontributeve shënon “Paguar kontribute me pagë… te subjekti ‘X’ me NIPT”, duke dorëzuar në organin tatimor vërtetimin e subjektit ku është punësuar.

Përcaktimi i shumës në këtë rast

Për shembull, një i vetëpunësuar është njëkohësisht i punësuar te një subjekt “x”, me një pagë prej 50,000 lekë në muaj. Paga minimale për efekt pagese kontributesh për të vetëpunësuarit aktualisht është e miratuar në masën 16,820 lekë në muaj. Duke e mbledhur me pagën që ky person merr si i punësuar, totali i pagave është 66,120 (50,000 + 16,120). Pra, në këtë rast totali i pagave që ai merr si i punësuar, duke i shtuar dhe pagën e miratuar si i vetëpunësuar, nuk e tejkalon masën maksimale mujore mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet prej 84 100 lekë. Pra, ky person do të paguajë rregullisht si i vetëpunësuar dhe me pagën që merr si i punësuar.

Kthimi i kontributeve mbi kufirin e përcaktuar

Rimbursimi i kontributeve të paguara më tepër

Në rastet kur evidentohet se derdhja e kontributeve është mbi kufijtë e përcaktuar, individi përkatës ka të drejtë që të kërkojë rimbursimin e kësaj shume. Për këtë, sipas përcaktimeve të bëra, nëse si rezultat i një kontrolli ose arsye të tjera shuma e paguar për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore tejkalon shumën e llogaritur të detyrimeve, drejtoria rajonale tatimore përkatëse, rimburson diferencën brenda 30 ditëve nga evidentimi i mbipagesës, ose nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga kontributpaguesi. Sipas Ballukut, “kthimi i shumave të paguara tepër mund të realizohet në disa forma, ku përfshihet kalimi për efekt të detyrimeve të papaguara brenda të njëjtit lloj, si dhe kalohen për llogari të pagesës së detyrimeve të papaguara të kontributeve të llojit tjetër, në rast se nuk ka detyrime të papaguara të të njëjtit lloj kontributi. Për rimbursimin e pagesave të tepërta për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore duhet të kemi parasysh se shuma e kontributit si detyrimi kontributiv, e paguar më tepër ,nuk mund të kalohet për mbulimin e detyrimeve të pagesave dhe gjobave të papaguara të tatimeve të tjera. Po kështu, për rimbursimin duhet të kemi parasysh se rimbursimi i tatimeve të tjera mund të përdoret për të mbuluar gjobat e vëna nga inspektorët të vendosura për kontributet e sigurimeve shoqërore, por nuk mund të përdoret për të mbuluar detyrimet ose interesat për kontributet e papaguara të kontributeve. Të gjitha rastet që lidhen me rimbursimin e kontributeve, miratohen nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore”.

Format e rimbursimit të kontributeve të derdhura tepër:

- Kalohet për llogari të pagesës së detyrimeve të papaguara të kontributeve të të njëjtit lloj.

- Kalohen për llogari të pagesës së detyrimeve të papaguara të kontributeve të llojit tjetër, në rast se nuk ka detyrime të papaguara të të njëjtit lloj kontributi.

- Me pëlqimin e tatimpaguesit, shuma e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të paguara më tepër kalon në llogari të pagesës së shumës të detyrimeve të mëvonshme të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

- Nëse të gjitha ose një pjesë të kontributeve të paguara tepër, lidhen me kontributet e punëmarrësit, punëdhënësi është përgjegjës për rimbursimin e punëmarrësve brenda 30 ditëve.

Përcaktohet ngritja e Regjistrit Kombëtar të Kontributeve

Qeveria miraton projektligjin, “jo” rritjes së

masës së kontributeve shëndetësore

Pavarësisht deklarimeve të bëra më parë, masa e derdhjes së kontributeve shëndetësore të detyruara nuk do të pësojë rritje. Drafti i ri ligjor “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”, i miratuar nga qeveria gjatë ditës së djeshme, përcakton se masa e kontributit të detyruar për shëndetësinë do të mbetet në nivelet e mëparshme. Masa e kontributit të detyruar shëndetësor është 3.4 për qind për llogaritjen e kontributeve për të gjitha kategoritë e mbuluara nga skema. Për të punësuarit kontributet paguhen në masën 50 për qind nga punëdhënësi dhe 50 për qind nga punëmarrësi. Sipas përcaktimeve të bëra, mbledhja e kontributeve parashikohet të bëhet nga organet tatimore në përputhje me legjislacionin aktual. Ligji konfirmon krijimin e Regjistrit Kombëtar të kontribuuesve dhe urgjencat mjekësore falas për të gjithë qytetarët. Kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka cilësuar miratimin e draftit të ri ligjor si një ndër metodat që do të ndihmojë në eliminimin dhe uljen e abuzimeve. “Ky projektligj ndërton një sistem raportimi që përcakton qartë numrin e popullsisë ekonomikisht joaktive dhe përcakton saktësisht masën e kontributit që shteti duhet të paguajë. Çdo lloj pagese tashmë do të kalojë vetëm në filtra normalë, duke eliminuar pagesat nën dorë, si një fenomen të shëmtuar nga i cili sistemi shëndetësor po ndahet një herë dhe përgjithmonë. Skema e re e sigurimeve shëndetësore synon mbulimin total të popullsisë në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, të financuara nga sektori publik dhe privat. Kjo skemë stabilizon dy kategori të popullatës personat ekonomikisht aktivë dhe personat joaktivë”, ka pohuar ministri. Të dyja kategoritë janë të siguruara në skemën e sigurimeve shëndetësore, me ndryshimin e vetëm që kategoria e parë paguan vetë kontributet, ndërsa për të dytën do të paguajë buxheti i shtetit. Gjithashtu, një nga risitë e këtij projektligji është paraqitja e fondit në ushtrimin e funksioneve të tij nëpërmjet hartimit dhe bërjes së paketave të shërbimeve shëndetësore nga institucionet dhënëse të shërbimeve shëndetësore. “Nga ana tjetër, në ketë projektligj jepen kriteret mjekësore, ekonomike dhe sociale mbi të cilat do të ndërtohen paketat e shërbimeve, siç mund të klasifikohet shkalla mbi të cilën shërbimi ndikon zgjatjen e jetesës, efektiviteti i kostos së shërbimit, aftësia paguese e popullatës. Në mënyrë të posaçme në këtë projektligj trajtohet dhe problem i bashkëpagesës, duke konfirmuar parimin e bashkëpjesëmarrjes në mbulimin e çmimit të shërbimeve nga personat e siguruar”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›