E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në Romë, funerali i legjendës Naim Kryeziu

ROME- Klubi i Romës do t'i japë sot lamtumirën e fundit legjendës shqiptare Naim Kryeziu, i cili u nda nga jeta vetëm dy ditë më parë, te shtunen në moshën 92 vjeçare.

Në sheshin Euklid do të zhvillohet ceremonia, ku pritet të jenë drejtues të klubit dhe futbollistë. Naim Kryeziu ka qenë sulmues i skuadrës verdhekuqe në vitet 1939-1947 dhe në 122 ndeshje të luajtura realizoi 27 gola me këtë skuadër. Bashkë me Amadeo Amadein, ai formoi dyshen e famshme që i dha titullin e parë skuadrës kryeqytetase në vitin 1942.

I lindur në Gjakovë më 4 janar 1918, Kryeziu ishte një prej atyre futbollistëve që shkruan historinë e skuadrës së Romës. Naim Kryeziu kaloi në Itali bashkë me shqiptarin më të famshëm në këtë vend, Riza Lushtën dhe të dy u regjistruan në ISEF. Më pas ai u zbulua nga dirigjentët e Romës dhe shumë shpejt u bë pjesë e skuadrës së parë, ku bashkë me Amadeo Amadein, formonin dyshen e sulmit romanist në ato vite. Ai mbahej mend sidomos për shpejtësinë e tij, pasi e bënte 100 metërshin në 11 sekonda, ndërkohë që kishte një gjuajtje tepër potente. Naim Kryeziu luajti me ngjyrat e Romës në periudhën 1939-1947 dhe në 122 ndeshje të zhvilluara shënoi 27 gola. Pasi la verdhekuqtë, ai u ble nga Napoli, ku mbylli edhe karrierën në vitin 1952. Më pas, ai iu kushtua karrierës së trajnerit dhe arriti të siguronte ngjitjen në kategori të skuadrës Almas Roma. Në sezonin 1964-1965 ai u bë trajner i Romës, duke zëvendësuar të larguarin Lorenco. Më pas, u fut në stafin drejtues të Romës dhe si vëzhgues talentesh, zbuloi Xhuzepe Xhaninin. Naim Kryeziu u duartrokit në kor dy vjet më parë, gjatë 80 vjetorit të Romës, ku ai ishte së bashku me Amadein. Për nder të tij, skuadra verdhekuqe luajti te shtunen me një shirit të zi në krah në ndeshjen e mbrëmshme kundër Udinezes. Funerali i Naim Kryeziut do të zhvillohet të hënën në sheshin Euklid të kryeqytetit italian.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›