Sot ne mbledhjen e qeverise marreveshja historike per TAP

Kryeministri Berisha informoi përmes rrjetit social Facebook se në mbledhjen e qeverisë që zhvillohet të mërkurën do të miratohet teksti për projektin e gazsjellësit TAP.
“Ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. TAP sjell gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, kalon në rreth 200 km në territorin tonë dhe përfundon në Itali. Investimi në territorin tonë për ndërtimin e tij është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijohen, direkt dhe indirekt, rreth 20 mijë vende të reja pune”, bëri me dije Kryeministri.
Po në këtë mesazh, Berisha zgjodhi të ritheksojë rëndësinë e këtij projekti.
“Ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër të cilat ai kalon. Ai bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit, çka nënkupton për familjet shqiptare ngrohje dhe gatim me çmim shumë më të arsyeshëm se sa sot. Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon”, shkruante Berisha në Facebook.