Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të terminalit të ri të pasagjerëve në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", një zhvillim i rëndësishëm
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të terminalit të ri të pasagjerëve në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", një zhvillim i rëndësishëm në fushën e aviacionit në Shqipëri.
Terminali i ri, që shtrihet në një sipërfaqe 8 500 metra katror, ofron një infrastrukturor moderne dhe shërbim të standardeve ndërkombëtare për pasagjerët dhe kompanitë ajrore. Ai është ndër investimet e huaja më të mëdha në Shqipëri dhe menaxhohet nga Tirana Airport Partners mbi bazën e një marrëveshjeje koncesioni. Për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, së bashku me terminalin e ri të Kargos dhe rrugën hyrëse janë investuar rreth 50 milion euro. Terminali do të ketë një kapacitet fillestar prej 1.5 milion pasagjerësh në vit me mundësi zgjerimi të mëtejshme deri në 3 milion pasagjerë.
Kryetari i Bordit të Mbikqyrjes së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Hochtief Airport Reinhard Kalenda shprehu kënaqësinë dhe falënderimet për bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare.
"Si investitorë dhe operatorë, ne kemi ndërmarrë një angazhim afatgjatë në Shqipëri, një vendim për të cilin nuk jemi luhatur kurrë. Qeveria e Shqipërisë, nga ana tjetër, ka treguar se di të jetë një partner i besueshëm dhe konstruktiv, e cila e sheh me dashamirësi zhvillimin e aeroportit dhe ka qenë gjithnjë e gatshme për të ndihmuar në zgjidhjen e çdo problemi", theksoi në fjalën e tij Zoti Kalenda, duke shprehur besimin se të tjerë investitorë do të vijnë dhe zbulojnë mundësitë që ofron Shqipëria.
Kryeministri Berisha e vlerësoi terminalin e ri si portën e mikpritjes së Shqipërisë për të gjithë ata që vizitojnë vendin tonë. Kryeministri e konsideroi këtë investim një zhvillim të rëndësishëm të partneritetit publik privat.
"Terminali, - u shpreh Kryeministri, - është një lajmëtar shprese për vendin, i cili në këtë nismë të partneritetit publik privat duhet të shohë levën e Arkimedit për të kapur kohën e humbur, për t'u modernizuar dhe për të ecur i sigurt në rrugën e zhvillimit dhe integrimit".
Shiriti i përurimit u pre në mënyrë simbolike nga Kryeministri Berisha, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipërisë Marsi Ries dhe përfaqësues të konsorciumit Tirana Airport Partners, duke u deklaruar, njëkohësisht, i hapur terminali i ri.