Gjatë ceremonisë së përurimit të terminalit të ri të pasagjerëve në aeroportin "Nënë Tereza", Kryeministri Berisha mbajti këtë fjalë, në të cilën u ndal në rëndësinë e këtij
Gjatë ceremonisë së përurimit të terminalit të ri të pasagjerëve në aeroportin "Nënë Tereza", Kryeministri Berisha mbajti këtë fjalë, në të cilën u ndal në rëndësinë e këtij terminali dhe masat e tjera të qeverisë për krijimin e një mjedisi miqësor për investimet:
"Të nderuar të pranishëm, të dashur punëtorë, inxhinierë, teknikë të kompanisë Trema,
ju uroj ju dhe të gjithë shqiptarëve gëzuar terminalin e ri të aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", portën e re, fytyrën e re që lidh Shqipërinë me Evropën me botën.
Me ketë rast, dëshiroj të përshëndes të gjithë projektuesit, ndërtuesit, inxhinierët dhe punonjësit shqiptarë dhe të huaj që me punën dhe përkushtimin tyre realizuan këtë vepër të shkëlqyer bashkëkohore. Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë dua t'u shpreh përfaqësuesve të konsorciumit shefit ekzekutiv të Hochtief, zotit Kalenda, përfaqësuesit të Deutche Investitions dhe të American Albanian Enterprise Fund, të cilët realizuan një projekt të mrekullueshëm si ky aeroport. Gjithashtu një falënderim të veçantë edhe për financuesit e projektit.
Aeroportet janë simbole të mëdha të vendeve dhe të kombeve. Terminali që inaugurojmë sot është shumë më tepër se një simbol. Ky terminal e bëri Shqipërinë më të bukur, me strukturë moderne, që, ashtu si e përcaktoi një miku im, duke ardhur së bashku këtu, shëmbëllen me një zog të madh dhe është jashtëzakonisht mbresëlënës për të gjithë ata që e vizitojnë. Ky terminal e bën Shqipërinë më mikpritëse, më të njerëzishme, sepse u ofron një cilësi të re shërbimi të gjithë atyre që vijnë dhe largohen nga Shqipëria.
Terminali e bën Shqipërinë më të sigurt, sepse u ofron siguri më të madhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që fluturojnë nga ky aeroport dhe shërbime të shkëlqyera të gjitha kompanive ajrore, të cilat dua t'i përshëndes shumë përzemërsisht. Prania e tyre në Shqipëri është një besim i veçantë. Në aeroport operojnë linjat nga më prestigjiozet në Evropë, Alitalia, British Airways, Austrian Airlines, Albanian Airlines, Olimpic, Malev dhe shumë të tjera. Është një lajm shumë i mirë dhe i gëzueshëm se linja më e vjetër ajrore që ka operuar në Shqipëri, Lufthansa, ka vendosur të nisë fluturimet sërish dhe t'u bashkëngjitet sërish kompanive të tjera.
Ky aeroport ka një kapacitet prej 1.5 milion pasagjerësh në vit, me mundësinë e rritjes në 3 milion. Për një gjë ky terminal do të jetë krenar, i vendosur në një peizazh gjeografik unik, midis malit të Dajtit dhe kodrave të Pezës, do të mbetet për udhëtarët, pa mëdyshje, një nga më mbresëlënësit e Evropës. Në këtë aspekt do ta kenë lakmi dhe aeroportet më të mira të Evropës dhe të botës.
Për Shqipërinë terminali është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm i partneritetit publik privat, i realizuar në mënyrë efikase, të shkëlqyer e në kohë sipas të gjitha parashikimeve, me teknologjinë më moderne. Ai është një lajmëtar shprese për këtë vend, i cili në këtë nismë të partneritetit publik privat duhet të shohë levën e Arkimedit për të kapur kohën e humbur, për t'u modernizuar dhe për të ecur i sigurt në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.
E shfrytëzoj këtë rast për të siguruar këtë audiencë se Shqipëria miqësore dhe e sigurt ndaj investimeve është qëllimi më madhor i qeverisë sime. Në 18 muaj, qeveria ka ndërmarrë masat më të mëdha të uljes së taksave për të krijuar një mjedis miqësor ndaj investimeve të vendit dhe të huaja. Sipas KPMG, vitin e kaluar Shqipëria ishte në krye të vendeve për uljen e taksave si përqindje. Dua t'ju informoj se ky proces është në vazhdim dhe me këmbëngulje të madhe. Nga 1 korriku deri në 1 janar të vitit 2008, Shqipëria do të jetë vendi i taksës së sheshtë ndër më të ulëtat në Evropë ose, po të kemi parasysh kontributin e sigurimeve shoqërore, më të ulëtin në rajon 10 për qind, barra fiskale për investitorët e huaj dhe vendas në Shqipëri është më e ulëta në Evropë.
Këto janë vetëm disa hapa me të cilat ne kërkojmë të dëshmojmë qëndrimin tonë ftues dhe miqësor ndaj biznesit, por hapa të tjera shumë të rëndësishëm po ndërmerren për një klimë tërësisht të re ndaj biznesit. Gjithashtu "One Stop Shop" do të jetë një realitet shumë i shpejtë në Shqipëri. Prokurimet elektronike janë në rrugë e sipër. Interesi për këtë vend është më i madh se kurrë.
Ky terminal është porta e mikpritjes së Shqipërisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe biznesmenëve që duan të investojnë në vendin tonë.
Edhe njëherë dua të përshëndes të gjithë ata që me punën e tyre bënë të mundur realizimin e këtij terminali dhe t'i siguroj se qeveria do të mbështesë çdo përpjekje dhe projekt të tyre, për ta zgjeruar atë në përputhje me dinamikën e trafikut ajror, që siç duket do të ketë një kurbë rritëse marramendëse".