E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në orë 19:00 takimi Rama- Berisha- Meta

Berisha e Rama gjate takimit ne kuvend

Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama do të takohen sonte në orën 19:00 te Kryesia e Kuvendit.

Përpjekja e dytë për një President konsensual mes Ramës dhe Berishës vjen një javë pas takimit të parë, i cili ishte pa rezultat. Nga ai takim, ku Berisha nuk u tërhoq nga kandidati i maxhorancës, Zaganjori dhe opozita nuk propozoi asnjë emër përballë tij, Parlamenti konsumoi dy raunde pa asnjë kandidat.

Formati i takimit të sotëm, ndryshe nga ai i takimit të parë do të ketë dhe Ilir Metën si pjesë të tryezës, ndërsa Rama do të shoqërohet nga Gramoz Ruçi dhe Berisha nga Astrit Patozi. Sot është takimi që ndoshta do të përcaktojë nëse Presidenti do të zgjidhet me më shumë se 84 vota, apo me 71 vota.

Kryeministri Berisha do të takohet në 18:30 po në Kryesinë e Kuvendit me aleatët e tij të koalicionit qeverisës, Meta, Idrizi dhe Alibali, nënkryetar i Partisë Republikane. Berisha do të konsultohet në telefon me kreun republikan, Fatmir Mediu, për shkak se ai ndodhet në Itali, ndërsa në tryezë PR do të përfaqësohet me Neritan Alibalin.

Në përpjekjen e dytë mes Ramës dhe Berishës do të shohim nëse takimi i së dielës mbrëma do të nxjerrë një produkt konkret dhe të pranuar nga palët, jashtë bisedave teorike rreth modaliteteve dhe procedurave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›