Sot, në orën 12.30, Kryeministri Berisha doli në një konferëncë për shtyp në selinë e kryeministrisë. Fillimisht, Kryeministri bëri këtë deklaratë: "Jam sot para jush për të garan
Sot, në orën 12.30, Kryeministri Berisha doli në një konferëncë për shtyp në selinë e kryeministrisë. Fillimisht, Kryeministri bëri këtë deklaratë:
"Jam sot para jush për të garantuar zgjedhësit shqiptarë, forcat politike të vendit, si dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është anëtare apo aspiron anëtarësimin, se qeveria që unë kryesoj do të bëjë çdo gjë që nevojitet dhe varet prej saj që qytetarët shqiptarë më 20 janar të zgjedhin me votën e tyre të lirë qeveritarët e tyre vendorë në një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.
Qeveria është vendosur të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe materiale për të përmbushur plotësisht kërkesat e procesit zgjedhor dhe të respektojë pikë për pikë memorandumin e nënshkruar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Qeveria kërkon nga të gjitha institucionet e vendit të japin ndihmesën e tyre për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.
Qeveria fton shoqërinë civile, si dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare të organizojnë dhe të dërgojnë vëzhguesit e tyre në zgjedhjet e 20 janarit dhe i siguron ato që do të marrë të gjitha masat që vëzhguesit të përmbushin me sukses misionin e tyre.
Qeveria fton opozitën të votojë ditën e hënë amendamentet që ajo ka paraqitur vetë në Kuvend, të cilat pasqyrojnë të gjitha kërkesat e opozitës të firmosura në marrëveshjen e gushtit.
Listat e zgjedhësve në 64 për qind të tyre janë hartuar nga qeveritarët vendorë socialitë dhe pjesa tjetër nga qeveritarët vendorë të të gjitha partive të tjera, por që të gjitha këto u hartuan sipas kërkesave të opozitës të formuluara në marrëveshjen e gushtit.
Qeveria vlerëson punën e bërë në përputhje me marrëveshjen e gushtit për hartimin e listave, sikundër i bën thirrje opozitës, e cila 8 vjet me radhë nuk pranoi kurrë transparencë në procesin e heqjes së dublikatave nga listat, të dërgojë përfaqësuesit e saj pranë zyrës së përgjithshme të gjendjes civile dhe të monitorojë heqjen e dublikimeve në këtë zyrë. Qeveria është e gatshme të përballojë të gjitha shpenzimet e të dërguarve të opozitës për këtë proces.
Së fundmi, dëshiroj të theksoj edhe një herë se zgjedhjet e lira dhe të ndërshme janë prioritet absolut i qeverisë, janë fitorja e saj dhe e të gjithë shqiptarëve."
Më pas, Kryeministri iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Pyetje: Kryetari i KQZ sapo bëri një konferencë për shtyp dhe tha se nuk kishte asgjë gati, duke filluar që nga regjistrimi i partive në KQZ, përfshirë edhe Partinë Demokratike. Mbi të gjitha shqetësim ishin listat e zgjedhësve, të cilat nuk kanë mbërritur në KQZ dhe vetë KQZ-ja nuk arrin të printojë fletët e votimit, përvec problemeve të tjera siç janë plotësimi i anëtarëve të KZQV-ve. Pra e tha qartë mungon bashkëpunimi me të gjithë faktorët politikë.
Kryeministri: Nuk kam dijeni se KQZ-ja është autoriteti që prodhon listën. Listat i prodhojnë njësitë vendore. Ky është rregulli i ri. Listat, duplikatat nga listat hiqen në zyrën e përgjithshme të gjendjes civile, për çka unë ftoj opozitën të dërgojë përfaqësuesit e saj në këtë zyrë që të bashkëpunojë për këtë proces, që se ka lejuar kurrë më parë. Ne i ftojmë dhe i paguajmë.
Mund të ketë një shkurtim të afateve të afishimit të listave, por lista është më gatshme se asnjëherë tjetër, sepse ajo u hartua, siç e dini, mbi bazën e listëts së vitit 2005, duke mbartur në të, siç kërkoi opozita, regjistrin e përkohshëm.
Gjithashtu afati i regjistrimit të partive nuk ka skaduar. Ky afat, sipas KQZ-së, është deri në datën 10 dhjetor. Besoj se një periudhë 10 ditore është e mjaftueshme për të kompletuar procesin e regjistrimit.
Pyetje: Ditën e premte është hedhur shorti në KQZ për mbledhjen e KZQV-ve. Në po të njejtën ditë është miratuar në komisionin e ligjeve disa amndamente, në cilat vihet re se mazhorancës i përkon drejtimi në shumicën KZQV-ve edhe në ato zona, në ato njësi bashkiake, ku, sipas shortit, është fituese opozita për të drejtuar.
Kryeministri: Përsa i përket shortit, njëherë i takon opozitës dhe njëherë ne. Kjo është gjëja më normale. Skam asnjë koment për shortin. Besoj në ndershmërinë e hedhjes së tij. E kanë organizuar në mënyrë të veçantë, jo siç e kanë organizuar më përpara dhe gjithë KQZ-ja ka qenë dakort. Gjysma e komisioneve kryesohet nga Partia Socialiste dhe gjysma e tyre drejtohet nga Partia Demokratike.
Pyetje: Ju ftuat të hënën opozitën që të miratojë amendamentet e votuara në Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që si do të shkojë puna në rast se reforma zgjedhore nuk merr 84 votat në Parlament, duke patur parasysh që në Komisonin e Ligjeve pati edhe zëra nga mazhoranca kunder.
Kryeministri: Historiku i amendamenteve është ky. Në rekomandimet e shkruara të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore ekziston si rekomandim lista dhe asnjë rekomanndim tjetër. Opozita parashtroi një seri kërkesash, të cilat ne i pranuam në marrëveshjen e gushtit dhe thamë që me këtë marrëveshje fituam të gjithë, sepse opozita e gjeti veten më të sigurtë me të dhe ky është qëllimi ynë. Por Partia Socialiste nuk e pranon marrëveshjen, sepse me marrëveshje PS-ja dorëzoi minorancën bllokuese që ishte e vetmja pakicë që kishte në KQZ. Kjo është e vërteta. Deri më sot dhe aktualisht ka një parti të vetme me minorancë bllokuese dhe kjo nuk është Partia Demokratike, por është Partia Socialiste.
Kimizmin e tij me Metën nuk ia rregulloj unë. Unë dua tu them se u bë përpjekje shumë e madhe gjatë diskutimit që edhe anëtarin e 8-të dhe të 9-të të KQZ-së ta ndante PD-ja me PS-në. Ne e refuzuam këtë, sepse do të ishte absurde. Aty u kuptua nga LSI-ja që ata e kishin me hile. Prandaj nisi sherri midis tyre, gjatë dhe pas negociatave, dhe e pranuan. Por dolën juristët e tyre e deklaruan se humbi PS-ja, por pse humbi PS-ja? Asnjë parti nuk ka kontroll mbi KQZ-në, si parti, jo si blloqe. Thelbi i tyre është ky, nuk duhet të humbasin minorancën bllokuese në KQZ sepse nuk kanë besim tek njëri-tjetri dhe kjo është punë e tyre, unë nuk mund të merrem me kimizmin e tyre.
Pyetje: Për zgjedhjet e 20 janarit kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën ka angazhuar ose pritet të angazhojë disa kompani të huaja në lidhje me zgjedhjet. A ju shqetëson ky fakt dhe së dyti ado të përdorë mazhoranca një kompani të huaj ashtu sikurse përdori në 2005.
Kryeministri: Për pyetjen e parë, mund tu them se ai fakt nuk më shqetëson aspak. Nga praktika ime shumë vjeçare tek shtrati e një të sëmuri, i uroj çdo të sëmuri të mos i grumbullohen shumë mjekë tek koka. Sa më shumë ti rreshtohen, aq më i madh është shansi për ta nxjerrë në profesion të lirë. Por zgjedhja është e tij.
Ne kemi kontratuar kompani, jo shumë kompani, por kompani shumë serioze, e cila ka javë që po punon.
Pyetje: Nga konferenca për shtyp e kryetarit të KQZ-së ne mësuam se mungonin shumë gjëra për këto zgjedhje dhe afatet janë shumë të ngushta. Nëse do të cënohën standartet e këtyre zgjedhjeve, a është e gatshme mazhoranca të mbajë përgjegjësinë që i takon në lidhje me cënimin e ketyre standarteve?
Kryeministri: Qeveria është e gatshme të bëjë cdo përpjekje për arritjen e standarteve dhe dua t'ju siguroj që ka bërë çdo përpjekje.
Procesi kishte dy shkaqe. Shkaku i parë ishte shtyrja e datës së zgjedhjeve, gjë të cilën ne nuk e kishim në dorë, sepse nuk varet nga ne përcaktimi kushtetues, nuk varet nga ne përcaktimi ligjor, nuk varet nga ne zgjatja e mandateve. Zgjatja e mandatit është përcaktim kushtetues dhe nuk i duhet uruar asnjë vendi rrethanat kushtetuese në të cilat zgjaten mandatet. Nuk ishte problemi i datës, por i mandateve, të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë. Nuk mund t'u japësh vendimeve fuqi prapavepruese. Kjo çështje nuk ka gjetur, në mënyrë absolute, mbështetje në asnjë jurist, vendas dhe të huaj, në asnjë institucion.Çfarë humbnim ne nëse zgjedhjet zhvilloheshin tre muaj më vonë? Absolutisht asgjë. Madje mund të na interesonin më shumë ne, sesa opozitës. Por nuk mund të realizosh çdo gjë që do, sepse nuk varen nga ty. Të themi se nuk bëjmë zgjedhje në dimër, ja ku është një vend tjetër, 7-8 gradë më i ftohtë se ultësira e Shqipërisë dhe që do të bëjë zgjedhje në 21 janar. Nuk është kusht i favorshëm, por nuk mund të mos bësh zgjedhje.
Kryetarit të KQZ-së i them se qeveria do të vendosë në dispozicion të KQZ-së të gjitha resorset që atyre u nevojitet për të përmbushur zgjedhjet.
Pyetje: Në rast se amendamentet nuk votohen në parlament, atëherë edhe listat do të bëhen sipas Kodit të vjetër?
Kryeministri: Listat janë hartuar sipas kërkesës së opozitës. Opozita kërkoi që të mbartet regjistri i përkohshëm dhe u mbart. ODIHR-i kishte udhëzuar që listat të bazoheshin në listën e 2005 dhe regjistrin e përkohshëm. Opozita ra dakort dhe u plotësua kjo kërkesë e opozitës. Nëse lexon raportin e fundit të ODIHR-it theksohet se regjistri i përkohshëm është mbartur pothuajse tërësisht.
Pyetje: Pavarësisht shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje, gjendemi para një fakti të kryer që, për herë të parë, futemi në zgjedhje kur, 7 javë para tyre, nuk ka asnjë reformë dhe ende shumë aspekte të zgjedhjeve janë në pikëpyetje. Sa të shqetësuar jeni për cënimin e standarteve dhe si mund të garantohen këto standarte, kur më parë ato ishin gati 6 muaj para dhe sërish ka patur probleme?
Kryeministri: Të gjitha kërkesat e reformës kanë ardhur nga marrëveshja, të cilën opozita e kërkoi për një shkallë më të lartë besimi. Opozita e kërkoi atë dhe u pendua. Asnjë prej pikave të saj nuk vjen me kërkesat e ODHIR-it, madje disa prej tyre vijnë në të kundërt me to, p.sh. shtimi i numrit të komisionerëve në komisione, kur ODIHR-i është për pakësimin e tyre. Mjafton të shikoni raportin e ODIHR-it. Unë e kam pranuar marrëveshjen si pjesë të kompromisit, nuk e kërkuam, por u bëmë lëshim të tjerëve për t'u rritur atyre sigurinë. Këtë ia kam shprehur edhe përfaqësuesve të ODIHR-it.
Në raportin e fundit, ju u njohët me shqetësimin e madh të Komisionit Europian për marrëveshjen e gushtit në raport me median dhe kërkesën e prerë të tyre që të mos cënohet pozitiviteti i reformës.
Ne e pranuam marrëveshjen, sepse opozita insistonte. Opozita kërkoi ndryshimin e KQZ-së. Këtu dua t'ju kujtoj se qeveria e mëparshme i ka bërë zgjedhjet si ka dashur, i ka bërë me një KQZ-ë 6 me 1, me një KQZ-ë 5 me 2, me lista të pamiratuara në KQZ. Ky është historiku i vërtetë i zgjedhjeve. Ne jemi të vendosur për t'i votuar amendamentet dhe i ftoj edhe ata t'i votojnë të hënën, por nëse nuk i votojnë për të thënë se nuk u miratua reforma, të mos i votojnë. Amendamentet i kërkuan ata, kërkesën për marërveshje e bënë ata dhe ne i pranuam. Por e përsëris edhe një herë se në PS ka dy rryma dhe njëra rrymë, pasi dështoi me bojkotin, të cilin e ka patur qëllim kryesor, është për dëmtimin e zgjedhjeve. Kjo është e lexueshme.
Qeveria do t'i përmbushë të gjithë detyrat e saj. Se çfarë bën opozita, e cila deklaron o fitore, o zgjedhje të manipuluara, kjo është tjetër çështje.
Pyetje: A ekziston rreziku real për dëmtimin e zgjedhjeve?
Kryeministri: Në rast se ekziston vullneti i plotë i forcave politike, zgjedhjet do të jenë shumë të mira. Në rast se ky vullnet nuk ekziston, është tjetër problem.
Pyetje: Mendoni se mund të ndodhë?
Kryeministri: Nuk ka asnjë mëdyshje që gjysma tjetër me vendimet e saj mund të dëmtojë procesin, por qeveria nuk mund t'i imponohet opozitës. Fatmirësisht opozita është e pavarur nga qeveria dhe kështu duhet të jetë. Opozita nuk është derivat i qeverisë, ajo është sovrane të vendimet e veta.